Abilekaj: Optimizmi për integrimin në BE nuk përputhet me realitetin shqiptar

Në një intervistë për edicionin pasdites, me moderatorin, Edvin Parruca, në Syri TV, analisti Enton Abilekaj kritikoi ashpër optimizmin e shprehur për ecurinë e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Ai theksoi se realiteti me të cilin përballen qytetarët është shumë larg asaj që burokratët evropianë e prezantojnë.

Abilekaj u ndal kryesisht te çështjet e pronave, të cilat sipas tij janë në një gjendje kaotike dhe shkaktojnë konflikte të vazhdueshme, dhe te ndotja mjedisore, që ka shkaktuar ankesa edhe nga vendet fqinje. Ai nënvizoi se edhe institucionet evropiane, përfshirë Parlamentin Evropian, kanë konstatuar se zgjedhjet e fundit në Shqipëri ishin “të pabarabarta”, duke sfiduar kështu bazat e demokracisë në vend.

Analisti shtoi se raportet e Bashkimit Evropian theksojnë se qeveria shqiptare ushtron presion mbi gjyqësorin dhe prokurorinë, ndërkohë që korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të jenë të përhapur në nivelet më të larta të qeverisjes. Ai përmendi edhe raste të dhunës së armatosur në zonat urbane, duke treguar një mungesë të efektshme të shtetit ligjor.

“Në qoftë se këto konsiderohen hapa përpara drejt Bashkimit Evropian, atëherë ne tashmë duhet të ishim anëtarë. Por realiteti është krejt i kundërt: ka hapa mbrapa dhe qytetarët përballen me probleme të thella dhe të pazgjidhura,” deklaroi Abilekaj.

Ai përfundoi duke theksuar se progresi i pretenduar drejt BE-së është sipërfaqësor dhe nuk reflekton përmirësime reale në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë.

Enton Abilekaj: Optimizmi, unë nuk e di, optimizmi që vjen nga Bashkimi Europian mendoj që është në kontrast me atë që mendojnë njerëzit që jetojnë këtu. Pse e mendoj këtë? Sepse vetëm po të shohësh një edicion të thjeshtë lajmesh, jo vetëm te Syri, kudo. Po, kudo. Në çdo televizion. Ne shikojmë banorë që dalin në protesta sepse po u vidhen pronat. Pra çështja e pronave jo vetëm që nuk është zgjidhur, jo vetëm që nuk është në prag të zgjidhjes, por është ka arritur në një pikë ku nuk merret më vesh se kush është pronari dhe si mund të zgjidhet më.

Ne shohim në edicionet e lajmesh se si ndotja, niveli i ndotjes ka arritur aq shumë, në nivele aq të larta, sa dhe fqinjët ankohen për ndotjen tonë. Dhe kjo është një çështje që nuk mund të zgjidhet as për një vit e as për dy vjet. Pra, që ne hapim kapitujt për t’i diskutuar dhe që ne do të kemi një fazë të ndërmjetme, të gjitha këto janë fakte burokratike të cilat na vijnë nga Brukseli duke na dhënë një mundësi që deri në mbylljen e kapitujve të korrigjohemi. Por të thuash pastaj siç, siç thotë Marta Kos, që Shqipëria ka bërë përpjekje dhe është shumë pranë integrimit, mendoj që ose të duket vetja e gënjyer, ose nuk kupton se çfarë po ndodh. Sepse përmenda dy topa, por unë po flas për zgjedhjet në Shqipëri, parlamenti europian ka miratuar rezolutën që zgjedhjet në Shqipëri ishin të pabarabarta. Domethënë në Shqipëri u zhvillua një garë e pabarabartë dhe fitoi ai që është në pushtet. Ç’do të thotë kjo? A ka mundësi që të futen dy skuadra në fushë me një garë të pabarabartë dhe të fitojë njëra dhe të thuhet që ndeshja ishte në rregull?

Pra, iku dhe kjo e të drejtës politike. Flasim për gjykatat. E ka thënë Bashkimi Europian, jo ne, në raportin e progresit, që qeveria ushtron presion mbi drejtësinë e pavarur, mbi prokurorinë dhe mbi gjykatën. Nuk e kemi thënë ne këtë. Sigurisht që ne e themi, por nuk po e marr nga çfarë raportohen mediat shqiptare, por po marr çfarë raporton Bashkimi Europian dhe raporti i progresit. Pra, pushteti ekzekutiv thotë, ushtron presion mbi pushtetin gjyqësor që mos të ketë drejtësi në këtë vend. Dhe kjo quhet një hap përpara në integrimin në Bashkimin Europian. Pastaj, korrupsioni thotë raporti, është endemik dhe i përhapur në nivelet më të larta të qeverisjes. Mos, kjo është një hap përpara drejt Bashkimit Europian?

Në qoftë se këto janë hapa përpara drejt Bashkimit Europian, pastrimi i parave thotë, është një problem shumë i madh, Shqipëria është bërë një qendër e pastrimit të parave. Shumica e ekonomisë është ekonomi kriminale. Të gjitha këto raportime të burokratëve të Brukselit që i quan Rama, që të cilët i vlerëson, na thonë, na tregojnë që ne jetojmë në një realitet që nuk ka, përputhet me atë që njohim ne nga Bashkimi Europian. Në qoftë se vendet e Bashkimit Europian kanë këtë situatë të parave të pista, këtë situatë të nivelit të korrupsionit, këtë situatë të krimit të organizuar që kontrollon qeverisjen, këtë situatë të zgjedhjeve të pabarabarta, këtë situatë të mjedisit, këtë situatë të pronave, atëherë hyrja në BE për ne tashmë është një formalitet. Ne e kemi arritur. Por në qoftë se është e kundërta, nuk ka asnjë hap përpara.