Komisioni për Çështjet e Brendshme
TIRANË- Komisioni për Çështjet e Brendshme është mbyllur me debate. Gjatë kohës që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, deputeti demokrati, Flamur Noka, e ka akuzuar atë se largoi nga puna shefin e Komisariatit Nr.2 në Tiranë, Ritvan Palin, vetëm se arrestoi mikun e ngushtë të kreut të policisë. Proda i është përgjigjur duke deklaruar se shërbimi në një qytet tjetër nuk është persekutim.
Flamur Noka: E internove në Kukës se të arrestoi shkokun e ngushtë narkotrafikant. I ke dhënë mesazhin më të ndyrë policisë së shtetit.
Ilir Proda: Në qoftë se të shërbesh në Kukës qenka persekutim, ky është problemi juaj zoti Noka, jo i imi. Pyeteni se përse ka dhënë dorëheqjen, meqë mbakeni kontakt. Ai është oficer i Policisë së Shtetit, si oficer ka shërbyer në Kukës dhe kudo, ka ikur me dorëheqje.
Flamur Noka: E ke larguar se arrestoi mikun tënd, i ke dhënë mesazhin më të ndyrë Policisë së Shtetit: kush guxon të prekë narkotrafikantët ky fund ju gjen.
Debati vijoi me Bledi Çuçin, i cili i kërkoi disa herë Nokës të mos ndërhynte, derisa e përjashtoi nga mbledhja. Mirëpo ky i fundit nuk pranoi ta linte sallën dhe Çuçi ndërpreu mbledhjen. Siç mund të dëgjohet në video, Çuçi i drejtohet Nokës me fjalët: “kë sheh, kë sheh…”, pas së cilës ai ndërpreu seancën dëgjimore. Pas rifillimit të mbledhjes, Çuçi lexoi rregulloren dhe njoftoi përjashtimin e Nokës nga seanca, duke i kërkuar atij të largohej menjëherë nga salla.
“Ju përjashtoj nga seanca dëgjimore për fyerje të kryetarit të Komisionit. Ju lutem, lëreni mbledhjen. Jeni i përjashtuar sepse pengoni punimet, fyeni dhe kërcënoni drejtuesin e seancës dhe të institucionit. Lëreni sallën të vazhdojë punimet. Nëse vazhdoni, do t’i kërkoj Parlamentit të marrë masë 10-ditë përjashtim. Lëreni sallën, jeni i përjashtuar,” deklaroi Çuçi.
/ZËRI
