foto ilustrim: Ilir proda-arrestimi i ilir metes
TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda u pyet në Komisionin për Çështjet e Brendshme për arrestimin e Ilir Metës. Deputeti demokrat, Klevis Balliu, e quati arrestimin e Metës si të ishte “një terrorist”, ndërsa Proda iu përgjigj se çështja është nën hetim.
“Arrestuat Ilir Metën si terrorist, ndërsa bandat i paralajmëroni. Ilir Metën e arrestuat si terrorist. Ndërsa bandave u tregoni paraprakisht kur do vijë policia t’i arrestojë”, iu drejtua Balliu.
Proda pranoi se është përdorur forcë me ish presidentin e Republikës, por duke thekuar se nuk është shkelur ligji, duke argumentuar se Meta ka bërë rezistencë. Po ashtu, Proda sqaron se Policia e Shtetit përdor forcë të nevojshme kur bëhet rezistencë, që në rastin e Metës sipas tij, ishte proporcionale ne raport me situatën.
“Policia nuk ka shkelur ligjin. Çështja është nën hetim, sa i takon opinionit tim nuk kemi të bëjmë veprim arbitrar, por kemi të bëjmë me përdorimin e forcës në rastet kur ka rezistencë ndaj arrestimit. Policia e shtetit kur bëhet rezistencë përdor forcë të nevojshme që besoj ka qenë proporcionale ne raport me situatën. I takon individit të sillet sipas detyrës që ka mbajtur”, u përgjigj Proda.
Ai u pyet për atentatin e ndodhur më 11 nëntor pranë Aeroportit të Rinasit, ku u vranë Gilmando Dani ( krahu i djathtë i Emiljano Shullazit) dhe Muçi Shaljani, agjent i Mbikëqyrjes Policore. Proda theksoi se “çështja është në hetim dhe nuk kam çfarë them se sa kaq deri tani.”/ZËRI
