Arben Ahmetaj
TIRANË-Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar pas një lajmi sipas të cilit Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht në Zvicër kërkesën për ekstradimin e tij. Në një postim në rrjetet sociale, Ahmetaj pretendon se procedura e ekstradimit është kryer para 2 vitesh, përkatësisht më 18 gusht 2023 dhe sipas tij ligji e lejon kërkesën për ekstardim vetëm një herë. Në reagimin e tij Ahmetaj akuzon qeverinë se po krijon një “zhurmë të qëllimshme” për të devijuar vëmendjen publike.
Sa i përket hetimit në lidhje me një transfertë prej 3 mln eurosh, e cila dyshohet se është bërë për llogari të Ahmetajt drejt Austrisë, ish-zv.kryeministri deklaron se prokurori i çështjes është në dijeni se nuk ekziston asnjë transfertë financiare mes tij dhe personave të përfolur. Ahmetaj paralajmëron se do të publikojë më shumë detaje në ditët në vijim.
POSTIMI:
Një qëndrim përsa i përket lajmit të sotëm të rremë që Ministria e Drejtësisë paska dorëzuar një kërkesë të re për ekstradim, dua të sqaroj sa vijon:
1. Kërkesa për ekstradim ka mbi dy vjet që është bërë me urgjencë në 18 Gusht të vitit 2023. Ligji e përcakton që bëhet vetëm një kërkesë. Dhe sikur të kishte do të ishte në vazhdën e tymnajës…
2. Pseudo-transferta ka mbi një vit që hetohet dhe prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe kujtdo tjetër, e aq më tepër biznesmenëve apo biznesmenit në fjalë. Le të ngelet si sfidë!!! Shume shpejt “përkthehet” letër-porosia.
3. Pse bëhet zhurma e iniciuar me qëllim nga regjimi??? E thjeshtë fare! Të hiqet vëmendja nga mega skandalet e fundit dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.
4. Më shumë detaje, në vijim….
Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka. Arben Ahmetaj, në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, zhvilloi ankandin për shitjen e aksioneve të “Buka” sh.a në vitin 2015, ku iu kalua biznesmenit Fezollari edhe prona që iu është njohur trashëgimtarëve të ish-pronarit të shpronësuar në vitin 1945 nga regjimi komunist. Dëmi që llogaritet nga privatizimi i ish-fabrikës së bukës llogaritet të jetë 700 milionë lekë.
Në mars të vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ngriti akuzat për “fshehje dhe mos deklarim të pasurisë”, si dhe “pastrim të produkteve të veprës penale” ndaj partneres së ish-zv kryeministri, Erjola Hoxhës./ZËRI
hkhkkhpng
screenshot 2025 11 17 153139
