Veliaj kërkon laptop në qeli…Shtyhet seanca, përplasje në GJKKO mes avokatëve dhe prokurorit të SPAK

erion veliaj

TIRANË- Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ka shtyrë seancën paraprake për Erion Veliaj dhe të pandehurit e tjerë në dosjen e njohur, duke caktuar datën e re më 2 dhjetor. Shkak i shtyrjes u bë kërkesa e avokatëve të Veliajt për t’u njohur me aktet.
Mësohet se gjatë seancës së sotme, avokatët e Veliaj i kanë kërkuar kohë gjykatës gjithashtu që klienti i tyre të njihet personalisht me aktet e dosjes dhe që ato t’i dërgohen në burg. Nga ana tjetër, prokurori i SPAK ka replikuar duke theksuar se: “Jeni njohur me aktet, kërkoni të gjykoheni dhe nuk vini në gjykim”.
Mgjithatë, gjykata ende nuk është shprehur lidhur me kërkesën për laptopin në qeli të Veliajt për të lexuar aktet. Kërkesa e kryebashkiakut u bë publike në sallën e gjyqit nga avokatët e tij.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI