Bota E Hënë, 17 Nëntor 2025 13:08
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi sot se ka nënshkruar një marrëveshje me Francën për të marrë 100 avionë luftarakë Rafale, duke synuar forcimin e kapaciteteve ushtarake afatgjata të Ukrainës për të kundërshtuar pushtimin rus, raporton Reuters.
Zelensky ndodhet në vizitë zyrtare në Paris, ku zhvilloi bisedime me presidentin francez Emmanuel Macron, në një kohë kur sulmet me dronë dhe raketa ruse ndaj Ukrainës janë shtuar dhe Moska ka raportuar avancime në rajonin juglindor të Zaporizhias.
Në një intervistë për kanalin televiziv francez TF1/LCI, Zelensky deklaroi se kishte porositur 100 avionë luftarakë “Rafale”. Pallati presidencial francez Elysee konfirmoi numrin e avionëve, pa dhënë detaje të menjëhershme mbi mënyrën e furnizimit – nëse do të transferohen nga stoqet ekzistuese apo përmes blerjes direkte.
Pamjet televizive treguan Macron dhe Zelensky duke nënshkruar një dokument qëllimi për blerjen e pajisjeve mbrojtëse franceze në aeroportin ushtarak Villacoublay, në jugperëndim të Parisit.
“Një marrëveshje historike është përgatitur gjithashtu me Francën – që parashikon forcimin e aviacionit tonë luftarak, mbrojtjes ajrore dhe aftësive të tjera mbrojtëse”, shkroi Zelensky në X.
Sipas burimeve, furnizimi i Ukrainës me avionët Rafale, të prodhuar nga kompania Dassault, do të jetë pjesë e një marrëveshjeje strategjike 10-vjeçare në fushën e aviacionit. Një pjesë e avionëve mund të vijë direkt nga stoqet franceze, ndërsa pjesa më e madhe do të sigurohet afatgjatë, duke kontribuar në rritjen e flotës ajrore ukrainase deri në 250 avionë luftarakë, duke përfshirë F-16 amerikanë dhe Gripen suedezë.
Marrëveshja vjen pas zotimit të Macron muajin e kaluar për furnizimin e më shumë avionëve Mirage dhe raketave tokë-ajër Aster 30 për bateritë e mbrojtjes ajrore SAMP/T të Ukrainës, të prodhuara nga grupi evropian MBDA.
