Pritet mot i keq, zëvendëskryeministrja Balluku takim për emergjencat civile

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi sot një takim koordinues në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në kuadër të masave për përballimin e situatës që pritet të krijohet nga moti i keq në ditët në vijim.
“Pritet të nisë sonte në orët e natës agravim i kushteve të motit që nis nga veriu dhe përhapet në verilindje.

KESH ka analizuar situatën, për këtë arsye ju bëj me dije se duke nisur nga 11 nëntori, KESH ka nisur të ulë nivelet në basenin e Komanit dhe Vaut të Dejës, për të ulur nivelet për shkak të prurjeve të përrenjve. Parashikohen reshjet me intensitet të lartë, kohëzgjatja do të jetë pothuajse 48 orë.

Në situatën e Fushë Shkodrës janë marrë masa nga KESH për të dy basenet, për të mbledhur ujin, pa qenë nevoja të hapen portat.

Do kemi takime gjatë ditëve të ardhshme, por duhet të bëjmë thirrje qytetarëve përmes kryetarëve të bashkive që të jenë të kujdesshëm”, u shpreh ajo.
Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako thotë se kapacitetet në nivel kombëtar janë në gatishmëri të plotë, teksa pritet përkeqësimi i motit në vend.
“Në bazë të vlerësimit, kemi marrë masat e nvojshme për të përballuar dhe menaxhuar situatën që do prevalojë nga reshjet e parashikuara deri në 22 nëntor. Pjesa veriore kryesisht, ose më saktë pjesa e baseneve të Komanit dhe Vaut të Dejës, do kenë reshje me intesitet mesatar dhe të lartë. Natyrisht që në zbatim të planit kombëtar, agjencia e mbrojtjes civile ka marrë masat për rifreskimin e planeve, për mbajtjen në gatishmëri. Sot, thuajse të gjitha bashkitë dhe prefekturat janë të mobilizuara totalisht. Në datën 18, pritet që reshjet të jenë intensive në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kapacitetet në nivel kombëtar janë në gatishmëri të plotë. Në varësi edhe të situatës, jemi në komunikim të drejtpërdrejtë, do bëjmë njoftimet për situatën që do të prevalojë”, theksoi Çako.