ilir meta
TIRANË- Është shtyrë për të disatën herë seanca paraprake për ish-presidentin Ilir Meta, dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi. Shkak për shtyrjen e seancës së radhës në Gjykatën e Posaçme, është bërë mungesa e avokatit mbrojtës të Metës, Kujtim Cakrani.
Në seancën e kaluar avokati Cakrani u largua nga salla, ndërsa argumentoi se gjykata duhet të vendosë fillimisht mbi kërkesën e paraqitur prej tyre për konflikt interesi, duke pretenduar se gjyqtarja Irena Gjoka po hetohet nga SPAK pas akuzave të Sali Berishës për një dënim të supozuar të fshehur në Greqi.
Ai kërkoi gjithashtu që dosja të kthehet për hetim shtesë, duke pretenduar se SPAK ka vepruar në kundërshtim me procedurën kur ka paraqitur një provë të re lidhur me lobimin e LSI-së në SHBA, ndonëse hetimet zyrtarisht ishin mbyllur që më 28 korrik.
SPAK mbylli hetimet për Kryemadhin dhe Metën më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI
