Konferenca e 7-të ndërqeveritare/ Kos: Shqipëria, përparim gjigant! Rama: Dikur ishte shi e ftohtë, por sot…

RAMA DHE KOS

BRUKSEL- Shqipëria shënon një tjetër moment të rëndësishëm historik në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin e Europian. Sot, 17 nëntor, do të çelet grupkapitulli i fundit i negociatave, në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri- BE, që do të mbahet në Bruksel, duke shënuar një rekord historik, pasi të gjithë kapitujt e negociatave u hapën brenda 12 muajsh. 
Deri më tani Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen gjithëpërfshirëse, si edhe Axhendën e Gjelbër. 
Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë sot në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Bruksel, ku përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, ka ndarë pamje nga mbrëmja e djeshme ceremoniale e çeljes së dyerve të godinës të misionit të Shqipërisë në BE.
“MIRËMËNGJES dhe me mbrëmjen ceremoniale të çeljes së dyerve të godinës së Misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, në vigjilje të hapjes së grupkapitullit të fundit të negociatave të anëtarësimit sot në mëngjes, ju uroj të gjithëve një javë të mbarë”, shkruan Rama krahas videos. 

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij shprehu falenderimet, teksau  shpreh se është e jashtëzakonshme që të përjetosh këtë moment.
“Dikur, kur vinim, binte shi e bënte ftohtë jashtë dhe binte shi e bënte ftohtë brenda. Tashmë është ndryshe. Çfarëdo të ketë jashtë, brenda bën ngrohtë dhe është plot energji pozitive, fytyra pozitive dhe buzëqeshje të këndshme. Nuk jemi mësuar me këtë, Marta, ndaj është e jashtëzakonshme më në fund ta përjetosh këtë gjë, që është e vazhdueshme gjatë gjithë vitit dhe po bëhet e përhershme. Dua t’ju falënderoj të gjithëve sinqerisht që jeni këtu dhe të falënderoj sinqerisht e me gjithë zemër për punën secilin prej jush.”, u shpreh Rama.
Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos tha gjatë ceremonisë në mbrëmjen e djeshme se Shqipëri po punon dhe fort dhe ka dhënë rezultate. 
“E ndjej veten…ndjesë, si ambasadoren e katërt të Shqipërisë këtu në Bruksel. Ju po jepni rezultate. Arsyeja e dytë është se nuk po flisni vetëm, ju po realizoni. Ne shohim veprat. Nuk ua shpreh dot sesa e lumtur jam kur kam mundësi të shpjegoj me fakte që ju keni bërë një përparim vërtet gjigant dhe është e gjitha falë punës tuaj.”, tha Kos.
Konferenca e sotme, e shtata me radhë, është e fundit në ciklin e hapjes së të gjashtë grupkapitujve dhe pritet të hapë rrugën për përmbylljen e procesit teknik deri në vitin 2027. Pas kësaj faze, vendi do të hyjë në procesin politik të integrimit, që kërkon miratimin e anëtarësimit nga parlamentet e të 27 shteteve të BE./ZËRI