Nis festa shqiptare para duelit me Anglinë, qindra tifozë marshojnë me këngë e valle drejt stadiumit

Pamje nga atmosfera

TIRANË- Para ndeshjes së fundit të Grupit K për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, Tirana është mbushur me atmosferë festive dhe entuziazëm patriotik.
Sot, në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”, Shqipëria do të përballet me Anglinë, një përballje ku të dyja skuadrat kanë përmbushur objektivat e tyre.
Anglia kryeson Grupin K me 21 pikë nga shtatë ndeshje, me të gjitha fitore dhe pa asnjë gol të pësuar. “Tre Luanët” tashmë kanë siguruar vendin e tyre në finalet e Botërorit 2026, që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut.
Shqipëria ka bërë historinë duke siguruar zonën e play-off me 14 pikë, dhe më 20 nëntor do të mësojë rivalin e gjysmëfinales që do të luhet më 26 mars 2026.
Për këtë sfidë, trajneri Sylvinho ka vendosur të mos aktivizojë Mario Mitajn dhe Juljan Shehun, të ndëshkuar me karton të verdhë, ndërsa Ajeti, Manaj dhe Bajrami janë gjithashtu të ndëshkuar dhe nuk priten të jenë titullarë. Trajneri ka planifikuar pesë ndryshime nga formacioni i përdorur në fitore 0-1 ndaj Andorrës tre ditë më parë.
Formacionet zyrtare:Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Aliji; Asllani, Ramadani, Laçi; Hoxha, Bajrami, Uzuni. Trajner: Sylvinho
Anglia (4-3-3): Henderson; Burn, Quansah, Stones, O’Reilly; Bellingham, Wharton, Rice; Eze, Bowen, Kane. Trajner: Thomas Tuchel
Pothuajse 22 mijë tifozë do të jenë sot në “Air Albania”, ndërsa futja e tyre në stadium po bëhet me masa të rrepta sigurie. Edhe një numër i madh tifozësh nga Anglia do të jenë të pranishëm, po ashtu Policia ka marrë masat për mbarëvajtjen e ndeshjes. 
Arbitrat e ndeshjes do të jenë italianë, me Marco Guida si kryesor dhe ndihmësit Giorgio Peretti, Alessio Berti dhe Simone Sozza. /ZËRI