Nutricionistët kanë veçuar gjashtë ushqime që nuk duhet t’i ruani kurrë në enë plastike

Zvogëlimi i mbeturinave ushqimore është një nga mënyrat më efektive për të ulur ndikimin mjedisor të familjes dhe njëkohësisht për të kursyer para.

Një rol kyç në këtë është mënyra e duhur e ruajtjes së ushqimeve – por përdorimi i enëve dhe paketimit plastik nuk është gjithmonë zgjidhja më e mirë, shkruan Index.hr.

Sipas ekspertëve, disa lloje ushqimesh kërkojnë metoda të ndryshme dhe më të sigurta ruajtjeje për të mbetur të freskëta më gjatë.

Ushqimet e nxehta

Edhe pse plastika është praktike, nutricionistja Nikki Kuhlman paralajmëron për EatingWell se nxehtësia mund të shkaktojë zbërthimin e plastikës dhe çlirimin e substancave të dëmshme si BPA dhe ftalate.

“Këto kimikate mund të ndikojnë në funksionet hormonale”, thotë ajo, duke rekomanduar përdorimin e enëve prej qelqi ose çeliku inox për ushqimet e nxehta. Plastika, sipas saj, është e pranueshme vetëm për ushqimet e ftohta si sallatat apo sanduiçët.

Djathërat e fortë

Për djathërat e zakonshëm paketimi plastik nuk paraqet problem, por djathërat e mirë kërkojnë mbrojtje të veçantë. Mbyllja hermetike në plastikë ndalon qarkullimin e ajrit dhe nxit lagështinë, duke ndikuar në shijen dhe strukturën e tyre.

Ekspertët sugjerojnë përdorimin e letrës së djathit ose pergamenit, me një qese plastike të vendosur lirshëm sipër.

Salcat e domates dhe ushqimet acidike

Produktet acidike si domatet, lëngu i limonit apo salcat mund të reagojnë me plastikën dhe të çlirojnë substanca të dëmshme. Shkencëtarja Dr. Megan Meyer thotë se shmang ruajtjen e tyre në plastikë.

Qelqi dhe çeliku inox janë opsionet më të sigurta për këto ushqime.

Qepët dhe hudhra

Këto perime nuk duhet të mbyllen në plastikë, pasi lagështia rrit rrezikun e prishjes dhe mbirjes. Ato duhen ruajtur në vende të freskëta, të errëta dhe të thata – idealisht në qese rrjete apo letre që lejojnë qarkullimin e ajrit.

Perimet me gjethe

Ruajtja e sallatës, spinaqit dhe perimeve të tjera me gjethe në qese plastike të mbyllura nuk është ideale.

“Mbështillini me një leckë të pastër dhe vendosini në një enë hermetike,” këshillon Kuhlman. Lecka thith lagështinë e tepërt dhe mban perimet të freskëta për më gjatë.

Bimët e freskëta

Majdanozi dhe bimët e tjera të ngjashme zgjasin më shumë nëse trajtohen si lule: priten kërcejtë, vendosen në një gotë me ujë dhe mbulohen lehtë me një qese plastike. Në këtë mënyrë mund të qëndrojnë të freskëta deri në dy javë në frigorifer.