Britania planifikon të kryejë reformën më të madhe të politikës së saj të azilit në kohët moderne, duke e bërë statusin e refugjatit të përkohshëm dhe duke katërfishuar pritjen për vendbanim të përhershëm në 20 vjet. Qeveria laburiste e konsideron sistemin aktual si “të thyer”, një situatë që ka nxitur mbështetjen për partitë e djathta.
Pas një vere me protesta jashtë hoteleve që strehojnë azilkërkues, një demonstratë masive kundër imigracionit në Londër dhe kritika të vazhdueshme nga partia e djathtë Reform UK, ministrja e Brendshme Shabana Mahmood njoftoi masa për të ndaluar kalimet e paligjshme me varka të vogla nga Franca dhe për të kthyer refugjatët në vendet e tyre kur të jetë e sigurt.
“Ne kemi një sistem jashtë kontrollit,” tha Mahmood për BBC. “Është i padrejtë dhe po ushtron presion të madh mbi komunitetet. Është e rëndësishme të rivendosim rendin dhe kontrollin në këtë sistem, që të ruajmë besimin publik në ekzistencën e një sistemi azili.”
Plani i qeverisë, që do të prezantohet të hënën, ka dy shtylla kryesore. Së pari, nuk do të ketë më “rrugë automatike” drejt statusit të vendosur pas pesë vjetësh qëndrimi. Statusi i refugjatit do të rishikohet çdo dy vjet e gjysmë gjatë një periudhe 20-vjeçare përpara se të mund të aplikohet për vendbanim të përhershëm.
Mahmood tha se kjo masë do të përmbysë “supozimin e vjetër të brezave” se strehimi për refugjatët çon shpejt në vendbanim të përhershëm “dhe të gjitha të drejtat që vijnë me të.” “Nëse vendi juaj bëhet i sigurt gjatë kësaj periudhe… do të ktheheni,” theksoi ajo. Edhe ata që vijnë ligjërisht do të përballen me një rrugë 10-vjeçare drejt vendbanimit, dyfishin e kohës aktuale.
Së dyti, heqja e mbështetjes për ata që mund të punojnë por zgjedhin të mos e bëjnë. Strehimi dhe ndihmat javore do të hiqen për ata që kanë të drejtë të punojnë dhe mund të mbështesin veten por zgjedhin të mos e bëjnë. Ata që shkelin ligjin do të humbasin gjithashtu mbështetjen.
“Nuk është e drejtë që qytetarët britanikë dhe banorët afatgjatë të ndjekin një grup rregullash, ndërsa një grup tjetër, që gjithashtu ka të drejtë të punojë, t’i shpëtojë zbatimit të tyre,” tha Mahmood.
Modeli danez dhe reagimet politike
Politika e re është frymëzuar nga qasja e Danimarkës, një nga më të ashpra në Europë. Por Britania pritet të shkojë edhe më tej: rruga e re 20-vjeçare do ta bëjë kohën e pritjes më të gjatë në Europë, krahasuar me procesin 8-vjeçar të Danimarkës.
Që nga fitorja e madhe në zgjedhjet e vitit 2024, Partia Laburiste ka tentuar të krijojë një balancë mes përballimit të emigracionit të paligjshëm dhe ruajtjes së mbështetjes nga votuesit progresistë që favorizojnë një qasje më humane.
Të dyja palët ndihen të zhgënjyera: votuesit e djathtë mbështesin masat më drastike të propozuara nga Nigel Farage, lideri i Reform UK, ndërsa shumë të majtë janë alarmuar nga retorika e ashpër e Laburistëve.
Mahmood, vetë bijë emigrantësh nga Kashmiri pakistanez, tha se e refuzon “idenë se përballja me këtë problem është një angazhim me pikëpamjet e ekstremit të djathtë.”
“Ky është një mision moral për mua, sepse shoh që emigracioni i paligjshëm po copëton vendin tonë. Po ndan komunitetet. Njerëzit shohin presion të madh dhe një sistem të thyer, ku rregullat shkelen dhe abuzohet pa pasoja,” tha ajo.
Mahmood kritikoi qeverinë konservatore për humbje kohe dhe fondesh publike në përpjekjet e dështuara për të luftuar imigracionin e paligjshëm. Ligji për deportimin e azilkërkuesve në Ruandë kushtoi 700 milionë paund dhe rezultoi me vetëm katër persona të depërtuar, të gjithë vullnetarë.
Në një shenjë të ashpërsimit të debatit për emigracionin, partitë e tjera kryesore nuk e kritikuan fuqishëm planin e Laburistëve. Ish-ministri konservator Chris Philp tha se partia e tij do ta mbështesë nëse është “i arsyeshëm”, por shtoi se nuk është “mjaftueshëm radikal.”
