I shpallur prej 3 vitesh në kërkim për trafik droge, esktradohet nga Italia 31-vjeçari (EMRI)

momenti i ekstradimit

TIRANË- Një 31-vjeçar, i kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, është ekstraduar nga Italia në Shqipëri. Klajdi Murrizi ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2024, Gjykata e Apelit e kishte dënuar me 6 vite burg për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”. Ai është diktuar nga policia në vitin 2022, teksa tentoi t’i ikte, në momentin që do t’i dorëzonte një sasi lënde narkotike një shtetasi tjetër.
Njoftimi:
Interpol Tirana/ Ekstradohet nga Italia, një shtetas i kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u finalizua ekstradimi nga Italia në Shqipëri, i shtetasit shqiptar Klajdi Murrizi, 31 vjeç.
Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2024, me vendim të formës së prerë, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur deklarimin fajtor për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, duke e dënuar me 6 vite burgim.
Në vitin 2022, Klajdi Murrizi, në momentin që do t’i dorëzonte një sasi lënde narkotike një shtetasi tjetër, është diktuar nga shërbimet e Policisë.
Ai ka hedhur lëndën narkotike dhe është larguar me shpejtësi me një automjet me targa të huaja, duke mos iu bindur për të ndaluar punonjësve të Policisë në një pikë kontrolli tjetër të ngritur për kapjen e tij, në afërsi të Divjakës.
Shtetasi i ekstraduar nga Italia iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.