djali i viktimes
KORÇË- Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Korçë, ku një 48-vjeçare ka ndërruar jetë në banesën e saj në lagjen 15 të qytetit. Erdiol Nano, djali i 48-vjeçaresm Gentiana Nano, ka bërë publik lajmin për mediat, i cili ka fajësuar mjekët e spitalit të Korçës.
I riu rrëfen me detaje se si e ëma ishte dërgua në urgjencën e spitalit të Korçës dy ditë më parë, pasi kishte shfaqur probleme në frymëmarrje. Sipas të riut, 48-vjeçarja kishte thënë vazhdimisht që nuk ndihej mirë, e megjithatë, mjekët e kanë nxjerrë nga spitali. Pasi është trajtuar në shërbimin e urgjencës, është dërguar në shtëpi, por përsëri të nesërmen nuk është ndjerë mirë dhe familjarët kanë njoftuar ambulancën. Mjeku i ka bërë injeksione pasi viktima kishte rrahje të rritura të zemrës dhe tension të ulët, por gjatë ditës 48-vjeçarja nuk ndjerë mirë, ndërsa mëngjesin e kësaj të diele është gjetur e pajetë në dhomë nga djali dhe babai i saj.
“Mami thoshte që nuk jam mirë, e ndjej veten të lodhur dhe kam rrahje të larta të zemrës. E çuam në spital, ju bënë kontrollet, i thanë që kishte anemi, i dhanë disa mjekime dhe u larguam. Ajo vazhdonte të thoshte që nuk ndihem mirë por doktorët s’na thanë asgjë dhe e nxorën. Si mundet të lesh një njeri të largohet kur ai të thotë nuk ndihem mirë? Ditën tjetër përsëri tha që s’jam mirë dhe lajmëruam ambulancën. Na thanë që e ka tensionin e ulët, rrahjet e zemrës të larta dhe i bënë tre gjilpëra. Gjatë ditës mami ankohej sërish që nuk ishte mirë. Dua të di përse mjekët nuk na thanë çfarë duhet të bënim? Pse nuk e lanë në spital por e nxorën? Si e lanë të ikte nga spitali në atë gjendje? Sot më ndodhi mua, nesër mund ti ndodhë dikujt tjetër.”, është shprehur djali i viktimës për mediat.
Policia e Korçës po merr deklarimet e familjarëve për rastin ndërsa pritet që të merren në pyetje edhe stafi mjekësor që kanë qenë në shërbim përgjatë këtyre dy ditëve. Nga ana tjetër, trupi i 48-vjeçares do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes./ZËRI
