Foto ilustruese
STRABURG- Mbi 6 mijë protestues nga të gjitha trojet kanë marrë pjesë këtë të dielë në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) përballë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.
Shqiptarët nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u mblodhën para Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës në Strasburg, aty ku do të protestohet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Protesta e cila nisi që në orën 13:00, u organizua për të treguar mbështetje për ish krerët e UÇK’së që po mbahen në Hagë dhe për të kërkuar drejtësi për ta.
Protesta e Strasburgut pason ato të ditëve më parë në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë. Qëllimi i protestës është shprehja e pakënaqësive me gjyqin ndaj ish-eprorëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nisi në vitin 2023 dhe po vazhdon ende. Gjykata Speciale pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime. Ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./ZËRI
