Ministri në detyrë i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka pretenduar se “Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës”.
Reagimi i tij vjen një ditë pasi Policia e Kosovës, në bashkëpunim me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, kishin gjetur 10 detonatorë ndezës me kabllom në afërsi të fshatit Gnjezhdan të Leposaviqit.
Sipas ministrit, prania dhe angazhimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë ka mundësuar identifikimin dhe sekuestrimin e mjeteve që, siç u shpreh ai, do të mund të përdoreshin për “sulme të rrezikshme terroriste”.
Postimi:
Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës. Dje Policia e Kosovës së bashku me KFOR-in kanë gjetur dhjetë detonator ndezës me fitila (kabllo) në afërsi të fshatit Gnjezhdan, në Leposaviq.
Shtrirja e Policisë së Kosovës, prania e insitucioneve tona të sigurisë, ka bërë të mundur që të tilla mjete që do të përktheheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen e të shmangen apo minimizohen raste të sulmeve të rënda që për qëllim kanë shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe kësisoj frikësimin e qytetarëve.
Por, nuk ka kthim mbrapa. Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë e mbi të gjitha Republika e Kosovës është e vendosur në luftën përballë bandave të tilla kriminale të cilave do t’i përgjigjet ashtu siç e meritojnë. Kushtetushmëria, ligjshmëria, rendi dhe drejtësia do të ngadhnjejnë mbi çdo celulë terroriste, mafioze e kriminale.
