Ekstradohet nga Italia shqiptari i dënuar për drogë

Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, është ekstraduar nga Italia në Shqipëri falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma.
Ai ishte dënuar në vitin 2024 me 6 vite burg nga Gjykata e Apelit në Tiranë për prodhim dhe shitje narkotikësh dhe mosbindje ndaj policisë.
Rasti i tij i njohur fillon në vitin 2022, kur gjatë dorëzimit të drogës u kap nga policia. Për të shmangur arrestimin, hodhi lëndën narkotike dhe u largua me makinë me targa të huaja, duke mos ndaluar në një pikë kontrolli pranë Divjakës.
Pas ardhjes në Shqipëri, ai iu dorëzua Drejtorisë së Burgjeve për të vuajtur dënimin.
Njoftimi:
Interpol Tirana
Ekstradohet nga Italia, një shtetas i kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u finalizua ekstradimi nga Italia në Shqipëri, i shtetasit shqiptar Klajdi Murrizi, 31 vjeç.
Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2024, me vendim të formës së prerë, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur deklarimin fajtor për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, duke e dënuar me 6 vite burgim.
Në vitin 2022, Klajdi Murrizi, në momentin që do t’i dorëzonte një sasi lënde narkotike një shtetasi tjetër, është diktuar nga shërbimet e Policisë.
Ai ka hedhur lëndën narkotike dhe është larguar me shpejtësi me një automjet me targa të huaja, duke mos iu bindur për të ndaluar punonjësve të Policisë në një pikë kontrolli tjetër të ngritur për kapjen e tij, në afërsi të Divjakës.
Shtetasi i ekstraduar nga Italia iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.