“Shpërthen” Meksika/ Revolucion kundër karteleve, sulmohet Pallati Presidencial

Një turmë gjigante protestuesish theu barrikadat përpara pallatit presidencial në Mexico City, ku ai që nisi si një tubim paqësor kundër korrupsionit, doli jashtë kontrollit.

Protestuesit e drejtuar kryesisht nga të rinjtë e Gjeneratës Z, u përplasën me policinë teëksa përsërisnin slogane kundër dhunës së karteleve, dhe paaftësisë së shtetit për ta fashitur atë.
Demonstrata, e organizuar më së shumti nga aktivistë të rinj dhe e përkrahur nga mbështetës më të vjetër të lëvizjeve opozitare, shënoi kulmin e zhgënjimit qytetar ndaj paaftësisë së qeverisë për të garantuar gjithashtu mundësi ekonomike.
Protestuesit, që kishin marshuar nga të gjitha rrugët e kryeqytetit drejt pallatit presidencial, i cili është rezidenca zyrtare e presidentes Claudia Sheinbaum kërkuan dorëheqjen e politikanes progresive që mori detyrën tetorin e kaluar. Autoritetet u kundërpërgjigjën duke hedhur gaz lotsjellës në drejtim të turmës, duke shkaktuar kaos dhe ikje masive nëpër rrugë.
Përplasjet mes qytetarëve dhe policisë zgjatën me orë të tëra, por në fund situata u vu nën kontroll në zonën përreth pallatit. Pablo Vazquez, shefi i policisë së Mexico City, tha se 20 persona u arrestuan dhe shtoi se 60 oficerë policie u plagosën, 40 prej të cilëve u dërguan në spital për trajtim. Indinjata për vrasjen më 1 nëntor të Carlos Manzo-s, kryebashkiakut të një qyteti të pllakosur nga krimi në perëndim të Meksikës, ishte në mendjen e shumicës së njerëzve që iu bashkuan protestës. Shumë prej tyre shiheshin me kapela kashte — simbol i lëvizjes së tij politike, e cila ka një qasje të ashpër dhe pa kompromis kundër krimit të organizuar.
“Shteti po vdes,” tha Rosa Maria Avila, një agjente pasurish të paluajtshme 65-vjeçare, e cila kishte udhëtuar nga qyteti Patzcuaro i rajonit Michoacan. “Kryetari i bashkisë u vra sepse ishte një burrë që dërgonte forcat e rendit në male për të luftuar kriminelët.
Vdiq, sepse pati guximin t’i sfidonte,” tha ajo për Manzo-n. Kjo ishte protesta më e madhe e porganizuar deri më tani kundër Sheinbaum, e cila akuzon nga ana e saj grupet e djathta se po qëndrojnë pas rritjes së pakënaqësisë publike. Tubimi i ngjante lëvizjeve të tjera të udhëhequra nga gjenerata Z, si ato në Nepal dhe Madagaskar — vende këto ku qeveritë u rrëzuan.

Top Channel