vendngjarje
SHKODËR- Një sherr i nisur për arsye banale, ka çuar në një përplasje fizike dhe të armatosur mbrëmjen e djeshme në aksin Shkodër- Hani i Hotit, pranë rrethrrotullimit të Koplikut. 42-vjeçari Edison Tirana është personi që u qëllua me armë zjarri në automjetin e tij teksa po lëvizte pranë rrethrrotullimit të Koplikut.
Konflikti ka nisur që nga dogana në Hanin e Hotit, ku dy automjete kanë parakaluar njëra tjetrën disa herë gjatë rrugës. Në hyrje të qytetit të Koplikut, 42-vjeçari është goditur me sende të forta nga disa persona, të cilët gjatë konfliktit kanë qëlluar dhe me armë zjarri makinën e tij, por plumbat nuk e kanë prekur shoferin.
Mirëpo, pasi është qëlluar me 5 plumba në drejtim të mjetit të tij tip “Benz”, 42-vjeçari ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur me barrierat anësorë të rrugës, dhe ka përfunduar pranë një bordure tek një karburant. Më pas, ai ka dalë nga automjeti dhe ka vrapuar në disa ara aty afër, por personat në makinën tjetër e kanë ndjekur dhe e kanë goditur me sende të forta.
42-vjeçari Edison Tirana është dërguar në spitalin e Shkodrës dhe pasi ka marrë ndihmën mjekësore është shoqëruar për të dhënë dëshminë e tij. Efektivët kanë bërë ndalimin e dy vëllezërve Gjovalin Gjekaj dhe Pëllumb Gjekaj, banues në fshatin Pjetroshan të Malësisë së Madhe, ndërsa është shpallur në kërkim nipi i tyre 34-vjeç. Ndërkohë, janë sekuestrohuar një armë zjarri pistoletë, si dhe 4 automjete.
Njoftimi:
Malësi e Madhe/ Kanosën me armë zjarri pistoletë dhe goditën me sende të forta një 42-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihen në pranga dy vellezër dhe shpallet në kërkim një 34-vjeçar.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, si dhe 4 automjete.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, të mbështetura nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin rrugor “Koplik – Shkodër” një shtetas ishte kanosur me armë zjarri, organizuan punën për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit Gj. Gj., 63 vjeç, dhe P. Gj., 51 vjeç, banues në fshatin Bajzë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. Gj., 34 vjeç, banues në fshatin Bajzë.
Nga hetimet dyshohet se këta 3 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të automjetit dhe pas ndalimit në afërsi të rrethrrotullimit në hyrje të qytetit të Koplikut, kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime shtetasit E. T.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme/ZËRI
