vendngjarje
SHKODËR- Një sherr i nisur për arsye banale, ka çuar në një përplasje fizike dhe të armatosur mbrëmjen e djeshme në aksin Shkodër- Hani i Hotit, pranë rrethrrotullimit të Koplikut. 42-vjeçari Edison Tirana është personi që u qëllua me armë zjarri në automjetin e tij teksa po lëvizte pranë rrethrrotullimit të Koplikut.
Konflikti ka nisur që nga dogana në Hanin e Hotit, ku dy automjete kanë parakaluar njëra tjetrën disa herë gjatë rrugës. Në hyrje të qytetit të Koplikut, 42-vjeçari është goditur me sende të forta nga disa persona, të cilët gjatë konfliktit kanë qëlluar dhe me armë zjarri makinën e tij, por plumbat nuk e kanë prekur shoferin.
Mirëpo, pasi është qëlluar me 5 plumba në drejtim të mjetit të tij tip “Benz”, 42-vjeçari ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur me barrierat anësorë të rrugës, dhe ka përfunduar pranë një bordure tek një karburant. Më pas, ai ka dalë nga automjeti dhe ka vrapuar në disa ara aty afër, por personat në makinën tjetër e kanë ndjekur dhe e kanë goditur me sende të forta.
42-vjeçari Edison Tirana është dërguar në spitalin e Shkodrës dhe pasi ka marrë ndihmën mjekësore është shoqëruar për të dhënë dëshminë e tij. Sipas burimeve, autorët e dyshuar janë nga fshati Pjetroshan në Malësinë e Madhe. Ata janë identifikuar dhe ndalur, ndërsa janë marrë në pyetje nga policia./ZËRI
