Këshilli i Sigurimit i OKB-së
SHBA- Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet të hënën për të shqyrtuar dhe votuar një rezolutë që mbështet planin e paqes të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump për Gazën.
Sipas zhvillimeve të fundit diplomatike, javën e kaluar SHBA nisi bisedimet formale me 15 vendet anëtare të Këshillit për vendosjen e një stabilieti politik pas përfundimit të armëpushimit në konfliktin dyvjeçar mes Izraelit dhe Hamasit.
Në versionin aktual të projektrezolutës thuhet se “përshëndet krijimin e Komitetit të Paqes”, një strukturë e përkohshme qeverisëse për Gazën, e cila mund të drejtohet nga vetë Trump deri në fund të vitit 2027. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende arabe dhe me shumicë myslimane si: Egjipti, Arabia Saudite dhe Turqia, kërkuan të premten që Këshilli i Sigurimit i OKB-së ta miratojë shpejt rezolutën.
“Shtetet e Bashkuara, Katari, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëria e Arabisë Saudite, Indonezia, Pakistani, Jordania dhe Turqia shprehin mbështetjen tonë të përbashkët për Rezolutën e Këshillit të Sigurimit që është aktualisht në shqyrtim”,- thanë vendet në një deklaratë të përbashkët.
Ndërsa Rusia qarkulloi një projekt-rezolutë që sjell vendosjen e menjëhershme të një force ndërkombëtare në Gaza. Sipas mediave ndërkombëtare, Rusia është pro iniciativës për armëpushim por nuk përmend Trump-in./ZËRI
