Mes titujve të rinj të letërsisë për fëmijë, në Panairin e këtij viti, dallohen pak vepra që autorë kanë pikërisht fëmijët.
I tillë është libri Andrei Agasit, vetëm 9-vjeç, që me fantazinë dhe imagjinatën e moshës shkroi përrallën “Ragi dhe muzika e pyllit”.
“Libri flet për një papagall, i cili adhuron muzikën, por mamaja mendon se çështje si mbijetesa janë më të rëndësishme. Ragi (papagalli) duhet të kalojë disa vështirësi, por në fund, me fuqinë e muzikës, ia del”, tha Andrei Agasi, autori i librit.
Me pasionin për muzikën që bashkon njerëzit, duke njohur më mirë se çdo autor i rritur botën e fëmijëve, Andrei i fton bashkëmoshatarët në një udhëtim magjik në aventurat e personazhit të tij.
“Duke shkruajtur për bashkëmoshatarët e mi, lejova kreativitetin të bëjë punën e vet. Krijoja një libër, që bashkëmoshatarët e mi e pëlqyen shumë”, tha ai.
Për Andrein, asnjë fëmijë nuk duhet të heqë dorë nga ëndrrat e tij.
“Të lexuarit nëpërmjet shpirtit të një fëmije, mendoj se është më afër botës fëmijërore dhe është një ndër gjërat që do t’u pëlqejë shumë. Është një përrallë shumë e këndshme”, tha për gazetaren Sara Hila shkrimtarja Rudina Çupi.
Teksa viti pas viti, libri për fëmijë po përballet me sfida të mëdha, përfshirë reduktimin e veprave të reja dhe kostot e larta, autorja Rudina Çupi ia doli të kënaqë sërish lexuesit e vegjël, këtë herë me një botim dinjitoz për trashëgiminë kulturore mbarëkombëtare.
“Këtë vit, kemi ardhur me një vepër madhore, që është një trashëgimi kulturore për fëmijë që vjen në shqip dhe në anglisht. Ka të gjitha elementët për t’i dhënë fëmijëve një informacion të larmishëm”, u shpreh ajo.
Duke iu përgjigjur kërkesave të fëmijëve që kërkojnë të lexojnë edhe në anglish, por i konceptuar edhe si udhërrëfyes i identitetit shqiptar për turistët, “Rrënjët në zemër” është një botim dygjuhësh shqip-anglisht.
“Leximi dygjuhësh është një lexim që e pasuron lexuesin me fjalor më të ngritur në të dyja gjuhët dhe një kuptueshmëri më të madhe dhe na ndihmon për një qasje më moderne të librit. Leximi duhet të shkojë krah çdo zhvillimi tjetër”, theksoi Çupi.
Krijimet e Çupit dhe Andreit të vogël, së bashku me vepra të përkthyera nga autorë të njohur nga letërsia botërore, janë pjesë e stendës së shtëpisë botuese Pupëz në Panairin e Librit, që do të vazhdojë deri të dielën në mbrëmje.
Top Channel
