Trump kërcënon BBC-në me padi deri në 5 miliardë dollarë për videon e montuar

Presidenti amerikan sinjalizon betejë ligjore, edhe pse rrjeti britanik kërkoi falje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka gjasa të padisë javën e ardhshme korporatën britanike BBC me një shumë që mund të arrijë deri në 5 miliardë dollarë, pasi transmetuesi britanik pranoi se kishte montuar gabimisht një video të një fjalimi të tij — megjithëse BBC këmbënguli se pretendimi nuk ka bazë ligjore.

“Do t’i padisim nga 1 deri në 5 miliardë dollarë, ndoshta javën e ardhshme. Mendoj se duhet ta bëj. Ata madje kanë pranuar që mashtruan,” tha Trump para gazetarëve në bord të Air Force One të premten mbrëma (14 nentor) .

Avokatët e Trump i kishin dërguar BBC-së një letër të hënën, duke e akuzuar se kishte shpifur ndaj presidentit amerikan përmes videos së fjalimit të tij para trazirave në Kapitolin e SHBA-së në vitin 2021, dhe i dhanë afat deri të premten të kërkonte falje dhe të paguante dëmshpërblim për atë që e përshkruan si “dëmtim të madh reputacional dhe financiar”.

E gjitha ka të bëjë me mënyrën se si BBC montoi deklaratat e Trump të 6 janarit 2021 — ditën kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin amerikan. Çështja e ka futur rrjetin në krizën e tij më të rëndë të dekadave të fundit, duke shkaktuar dorëheqjen e dy drejtuesve të lartë dhe duke nxitur valë kritikash politike.

“Një pjesë e madhe e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar janë shumë të zemëruar për atë që ndodhi, siç mund ta imagjinoni, sepse tregon se BBC është ‘fake neës’,” tha Trump.

Ai shtoi se planifikon ta ngrejë këtë çështje me kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili ka mbështetur pavarësinë e BBC-së duke shmangur të pozicionohet kundër Trump.

“Do ta telefonoj gjatë fundjavës. Ai në fakt më ka lënë një telefonatë. Është shumë i sikletosur,” tha Trump

 “Përtej lajmeve të rreme, kjo është korrupsion”

Dokumentari, i transmetuar në programin kryesor Panorama të BBC-së, kishte ndërthurur tre pjesë të ndryshme të fjalimit të Trump më 6 janar. Avokatët e tij thonë se renditja e videove krijoi përshtypjen e rreme se ai po nxitje dhunën, duke e cilësuar montazhin si “të pavërtetë dhe shpifës”.

Në një intervistë për GB Neës, Trump akuzoi BBC-në për keqtrajtim të qëllimshëm. Ai tha se montazhi ishte “i pabesueshëm” dhe e krahasoi me ndërhyrje në zgjedhje.

“Unë mbajta një fjalim shumë të bukur, dhe ata e kthyen në diçka të shëmtuar,” tha ai. “‘Fake news’ ishte një term i mirë, por nuk mjafton. Kjo është më shumë se fake — kjo është korrupsion.”

Ai hodhi poshtë kërkim-faljen e BBC-së si të pamjaftueshme, duke argumentuar se transmetuesi kishte ngjitur deklarata që ishin pothuajse një orë larg nga njëra-tjetra. “Është e pabesueshme të sugjerosh idenë se unë mbajta një fjalim agresiv që çoi në trazira,” u shpreh ai.

Kryetari i BBC-së, Samir Shah, bëri një kërkim-falje personale në Shtëpinë e Bardhë dhe u tha ligjvënësve britanikë se montazhi ishte “gabim në gjykim”. Ministrja e Kulturës, Lisa Nandy, tha të premten se kërkim-falja ishte “e drejtë dhe e domosdoshme”.

Kriza tashmë i ka kushtuar BBC-së dy drejtues të lartë: drejtorit të përgjithshëm, Tim Davie, dhe shefes së lajmeve, Deborah Turness — të dy dhanë dorëheqjen këtë javë, teksa akuzat përanshmërisë dhe gabimeve në montazh u shtuan. /Al Jazeera/