U akuzuan se ndihmuan mikun e Gilmando Danit të hynte në AMP, Gjykata e Tiranës liron 2 policët e komisariatit nr 3

Gjykata e Tiranës vendosi sot të cilësojë të paligjshëm arrestimin 2 policëve të komisariatit nr 3 në Tiranë të cilët u akuzuan se kanë ndihmuar mikun e Gilmando Danit të hynte në AMP.

Për Bruno Cara dhe Arshim Zajmi, Gjykata e Tiranës nuk caktoi masë sigurimi në ngarkim të tyre, informon gazetari i Syri Tv Fatjon Gjinaj. Prokuroria kishte kërkuar masën detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit deri në sqarimin e plotë të rrethave të hetimit.Dy efektivët u proceduan nga AMP pasi akuzohen se kanë dhënë vertetimin që të bëhej pjesë e kësaj agjencie Muçi Shaljani që ra pre e atentatit me Gilmando Danin. Sipas AMP-së 2 punonjësit e policisë dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për Muçin, pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë.

Muçi Shaljani Sheqeri ndërroi jetë sot në orët e para në Spitalin e Traumës.

40-vjeçari kishte marrë disa plumba në kokë dhe pjesët e trupit ndërkohë që policia ende nuk ka identifikuar asnjë nga 3 ekzekutorët e atentatit të ndodhur më 11 nëntor 2025.