Bota E Shtunë, 15 Nëntor 2025 15:00
Një kishë në Zvicër ka prezantuar një projekt inovativ dhe të pazakontë: një Jezus digjital i krijuar me inteligjencë artificiale, i cili komunikon me besimtarët në një kabinë rrëfimi. Lajmin e ka bërë të ditur platforma “ThisOurPlanet”.
Hologrami interaktiv është i aftë të bisedojë në mbi 100 gjuhë, ndërsa kisha raporton se rreth dy të tretat e personave që kanë folur me të kanë deklaruar se kanë përjetuar një ndjesi shpirtërore gjatë komunikimit.
Projekti mban emrin “Deus in Machina” – “Zoti nga makina” – një referencë simbolike ndaj ndërthurjes së teknologjisë me besimin.
Instalacioni përdor një model të avancuar LLM të ngjashëm me sistemet e njohura si ChatGPT, Llama ose Gemini, të kontrolluar nga zëri. Pasi përdoruesi bën pyetjet e tij, IA formulon një përgjigje duke animuar fytyrën e avatarit, në mënyrë që të duket sikur po flet në kohë reale.
Avatari ndodhet në një kabinë rrëfimi tradicionale, pas një rrjete që ruan anonimitetin.
Programi është trajnuar mbi tekste teologjike, duke i mundësuar IA-së të japë përgjigje me qasje fetare dhe filozofike.
Projekti zhvillohet në bashkëpunim me Universitetin e Shkencave dhe Arteve të Aplikuara të Lucernës, për të studiuar ndërveprimin njerëzor me IA në kontekst shpirtëror.
Kisha e sheh eksperimentin si një mënyrë moderne për të ofruar mbështetje emocionale dhe reflektim personal, ndërkohë që debati global mbi rolin e teknologjisë në besim dhe etikë mbetet i hapur
