Bota E Shtunë, 15 Nëntor 2025 15:02
Stuhia “Claudia” është afruar me shpejtësi Britanisë së Madhe, duke sjellë reshje të dendura dhe duke detyruar Zyrën Britanike të Meteorologjisë të lëshojë paralajmërime serioze, veçanërisht për Anglinë jugore e qendrore si dhe për Uellsin.
Shefi i institucionit, Matthew Lehnert, paralajmëroi se në disa rajone pritet të bjerë brenda pak orësh një sasi shiu sa ajo e një muaji të plotë. Sipas tij, rreziku rritet edhe më shumë për shkak se toka është tashmë e tejngopur nga reshjet e mëparshme, duke krijuar kushte të favorshme për përmbytje të mëdha.
Autoritetet vendore u kanë kërkuar banorëve të zonave të prekura që të shmangin udhëtimet e panevojshme, pasi përveç përmbytjeve të mundshme, ekziston rreziku edhe për ndërprerje të energjisë elektrike.
Megjithëse stuhia ka shkaktuar reshjet e rrëmbyera të ditës së premte dhe të sotme, meteorologët theksojnë se “Claudia” nuk pritet të kalojë drejtpërdrejt mbi Mbretërinë e Bashkuar, duke lënë shpresa që intensiteti i saj të bjerë gjatë fundjavës.
Ndërkohë, një numër i madh pronash dhe biznesesh janë dëmtuar, teksa ekipet e emergjencës kanë punuar pa ndërprerje gjatë natës për të asistuar komunitetet e prekura.
