Një grua 31-vjeçare me origjinë moldave, Axenia Manoli, u gjet e pajetë të premten në një zonë pyjore në Cave, pranë Romës.
Gruaja ishte shpallur e zhdukur që nga e enjtja, pasi kishte shoqëruar fëmijët e saj 7 dhe 11 vjeç në shkollë. Trupi i saj u lokalizua rreth 200 metra larg makinës së parkuar.
Sipas raportimeve të Il Messaggero, komuniteti lokal shpreh dyshime mbi versionin fillestar të ngjarjes, ndërsa hetimet vazhdojnë në disa pista. Autoritetet po analizojnë edhe një letër që 31-vjeçarja mund të ketë lënë në banesë para zhdukjes, ku shprehej shqetësime për familjen, pa dhënë shenja të qarta për motive vetëdëmtuese.
Manoli ishte shpërngulur në Cave dy vite më parë, pasi kishte denoncuar ish-bashkëshortin për dhunë, dhe jetonte me fëmijët dhe partnerin e ri, jo shumë larg vendit ku u gjet pa jetë.
Alarmi për zhdukjen u dha nga partneri i saj, i cili njoftoi karabinierët kur gruaja nuk u kthye në shtëpi. Hetimet u intensifikuan me ndihmën e GPS-it të makinës, që çoi fillimisht në gjetjen e automjetit dhe më pas në trupin e saj.
Prokuroria e Tivolit dhe karabinierët po mbledhin të gjitha provat e mundshme, ndërsa hetimi mbetet i hapur dhe asnjë pistë nuk përjashtohet.
