Pasi pagoi 26 milionë euro për koncesionin e inceneratorit të Elbasanit, qeveria tani do të shpenzojë para të tjera për të bërë studim fizibiliteti nëse inceneratori i ndërtuar vlen apo jo. Lajmin e ka bërë publik ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj në komisionet parlamentare.
“Ministrisë së Mjedisit nëpërmjet Qeverisë Franceze i është alokuar një financim për të bërë studimin e fizibilitetit dhe vlerësuar edhe impiantin e trajtimit të mbetjeve të qarkut Elbasan. Për të parë gjithë elementet teknikë që përmenden edhe nga kompania e menaxhimit të këtij impiantit, në mënyrë pastaj që të dali me një rezultat final sa i takon edhe mbështetjes financiare për elementin e riparimit. Ky studim do të fillojë në janar dhe do të bëhet edhe nëpërmjet vizitave dhe inspektimeve në terren për këtë element”, përgjigjet ministri Jaupaj.
Inceneratori i Elbasanit u ndërtua i pari në sagën trefishe të aferës së madhe korruptive të inceneratorëve. Ai kaloi në pronësi të Bashkisë në vitin 2021, por që nga ajo nuk ka punuar asnjë ditë. Kjo pasi koncesionari Albtek Energy ndërtoi një rrangallë difektoze të ansembluar me copa vjeturinash të viteve 60 të gjetura nëpër Europë.
Por pas realizimit të plaçkitjes, tani ka ardhur koha e talljes. Pasi paguan qindra milionë euro, Shqiptarët do të paguajnë para të tjera, jo vetëm për studime, por edhe për të gjetur një zgjidhje të re për plehrat./KAPITALI
