Kronikë E Shtunë, 15 Nëntor 2025 11:45
Pak ditë më parë, Rinasi u trondit nga një atentat ku humbi jetën Gilmando Dani, ndërsa sot ndërron jetë edhe shoqëruesi i tij, Muçi Shaljani.
Gjatë një takimi me qytetarët e Njësisë 3 në Tiranë, kryeministri Edi Rama u shpreh se ngjarja mund të ishte zbardhur në kohë reale nëse do të kishte funksionuar sistemi i kamerave me Inteligjencë Artificiale, i cili pritet të instalohet së shpejti në rrugët dhe lagjet kryesore të vendit.
“Projekti i monitorimit me kamera inteligjente të rrugëve kombëtare është një hap i madh për sigurinë, pastërtinë dhe qetësinë e qytetarëve, sidomos prindërve lidhur me fëmijët në shkolla. Projekti po zbatohet me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara dhe ka arritur rezultate të jashtëzakonshme. Kur bën një shkelje, sistemi qendror identifikon personin në kohë reale,” tha Rama.
Kryeministri shtoi se burokracia ka vonuar pak nisjen e sistemit:
“8 muaj na mori për të përfunduar dokumentacionin e nevojshëm për instalimin. Nëse ky sistem do të ishte aktiv, ngjarja e Rinasit do të zbardhej menjëherë. Por puna nuk është vetëm te zbardhja e ngjarjes, por te parandalimi dhe rritja e sigurisë,” theksoi Rama.
Ky sistem synon të forcojë sigurinë publike, të ndihmojë në identifikimin e shkeljeve dhe krimeve dhe të japë sinjale në kohë reale për autoritetet përgjegjëse.
