Kronikë E Shtunë, 15 Nëntor 2025 12:10
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se opozita, si forcë politike që pretendon të qeverisë, arratiset nga zgjedhjet sepse nuk ka vizion dhe ide të qarta.
Gjatë takimit me qytetarët e Njësisë Nr.3 në Tiranë, Rama theksoi se askush nuk e di çfarë pune bëhet për të fituar mbështetjen e njerëzve, dhe se ata që flasin se Shqipëria është më e keqe, më e korruptuar ose më e varfër, nuk kuptojnë realitetin e shumicës.
“Shumica nuk na voton sepse jemi më të mirët, por sepse më të mirë se ne nuk ka. Të tjerët janë kashtë e koq* që nuk i duhen dreqit,” tha Rama.
Kryeministri e konsideroi të paprecedentë në historinë e politikës faktin që një parti opozitare që pretendon të jetë alternativë qeverisëse, të fshihet pas disa pseudo të pavarurve.
“Madje për kryeqytetin nxjerrin një aktor që luan rolin e kandidatit të pavarur. Kur ke përballë kundërshtarë që nuk sfidojnë me argumente, vizion apo aftësi, por me sharje dhe dhunë, sfida bëhet më e vështirë. Duhet të gjesh forca brenda vetes,” shtoi Rama.
Ai përmendi gjithashtu rangimin e Shqipërisë për digjitalizimin e shërbimeve publike:
“BE publikoi një dokument mbi vendet e Ballkanit për digjitalizimin e shërbimeve publike. Shqipëria është 121% brenda standardeve të BE-së dhe në pjesën e sipërme të klasifikimit, me shërbim të drejtpërdrejtë, pa dikë në mes – zero korrupsion,” theksoi Kryeministri.
