E lidhën dhe e dogjën! Vrasja e Sulo Halilit merr tjetër kthesë: Dyshohet për ngatërresë identiteti me një tjetër shqiptar

Sulo Halili

GREQI-Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi i vrasjes së 27-vjeçarit shqiptar Sulo Halili, i cili u gjet i ekzekutuar dhe i karbonizuar në zonën e Skourtës në Greqi më 8 nëntor. Autoritetet greke e cilësojnë rastin si një nga më të ndërlikuarit e viteve të fundit, me skenarë që kanë ndryshuar disa herë gjatë ditëve të para të hetimit.
Së fundmi hetuesit dyshojnë se autorët mund të kenë ngatërruar 27-vjeçarin me një tjetër shqiptar me të njëjtin emër e mbiemër, i njohur për precedentë penalë dhe i përfshirë në veprimtari kriminale. Autoritetet greke theksojnë se të dy personat kanë ngjashmëri fizike dhe të njëjtën identitet nominativ, ndërsa viktima nuk kishte asnjë të dhënë kriminale.
Një nga skenarët që po hetohet lidhet me mundësinë që Halili të jetë ekzekutuar nga ish-i dashuri i partneres së tij. Ky person mësohet se e kishte kërcënuar më herët 27-vjeçarin dhe policia po verifikon nëse ka pasur kontakte apo lëvizje të dyshimta rreth ditës së zhdukjes së viktimës.

Familja e 27-vjeçarit mohon çdo lidhje me botën e krimit, duke deklaruar se ai ishte njeri i qetë, punëtor ndërtimi dhe i martuar. Një pistë që po hetohet është edhe një kontakt i dyshimtë në rrjetet sociale, pasi Halili komunikonte prej muajsh me një vajzë, të cilën mund të ketë shkuar të takonte ditën që u zhduk. Autoritetet kanë sekuestruar telefonat e viktimës dhe familjarëve, po analizojnë mesazhet në TikTok dhe platformat e tjera, si dhe po verifikojnë kamerat e sigurisë për të rindërtuar lëvizjet e fundit të tij.
Automjeti në të cilin u gjet trupi ishte raportuar i vjedhur në maj nga Glyfada dhe mbante targa nga një makinë tjetër në Pieria. Ky detaj, sipas policisë, tregon se një rrjet i krimit të organizuar me një metodologji “profesionale” mund të jetë pas krimit. Oficerët e vrasjeve besojnë se është e mundur që 27-vjeçari të jetë vrarë në një vend tjetër dhe më pas të jetë çuar në zonën e shkretë ku u gjet automjeti i djegur./ZËRI