FOTO ILUSTRUESE
PËRMET-Numri i nxënësve të regjistruar në të gjithë sistemin arsimor në Shqipëri ka shënuar një rënie 1.5% në total për vitin shkollor 2024–2025, duke zbritur në 528,602 nga 536,780 që ishte një vit më parë. Situata alarmante raportohet të jetë në Përmet, ku Bashkia e qytetit njofton se sipas parashikimeve në vitin 2031 në dy shkollat e vendit do të ketë vetëm dy nxënës në klasën e parë.
Me anë të një postimi Bashkia Përmet arsyeton se numri i lindjeve ka rënë dhe këtë vit kanë lindur vetëm dy fëmijë dhe nëse vijon kështu në vitin 2043 mbyllet përgjithmonë gjimnazi i qytetit.
Postimi: Këtë vit në Përmet vetëm dy nëna kanë lindur dy fëmijë. Sipas parashikimeve demografike në vitin 2031 do kemi dy shkolla 9 vjeçare me vetëm dy nxënës në klasën e parë, ndërkohë në vitin 2043 mbyllet përgjithmonë gjimnazi i qytetit.Përmetit i duhen urgjentisht politika sociale stimuluese!!!
Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se Shqipëria po përballet me një rënie të vazhdueshme të lindjeve, e cila nuk kufizohet më vetëm në zonat e thella apo rurale, por po shtrihet në gjithë territorin. Në nëntëmujorin e vitit 2025 kanë lindur gjithsej 16,052 foshnja, me një rënie prej 4.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./ZËRI
