Një mjek është vrarë në një sulm raketor izraelit në një spital në Gaza.
Sulmi i së martës erdhi dy ditë pasi një tjetër spital i madh u vu në shënjestër, duke nxitur paralajmërimet nga OKB-ja se kriza humanitare në territor është tani më e keqja që ka qenë që nga fillimi i konfliktit.
Sipas stafit mjekësor, sulmi i fundit ajror goditi hyrjen e spitalit fushor të Kuvajtit në al-Muëasi, afër qytetit të Khan Younis. Një mjek vdiq dhe nëntë të tjerë u plagosën.
Qindra mijëra palestinezë të zhvendosur jetojnë në zonë, kryesisht në tenda të rreckosura të improvizuara pranë dunave të rërës. Ata lanë shtëpitë e tyre ,pasi forcat izraelite rifilluan operacionet sulmuese dhe kapën zona të Gazës jugore, duke përfshirë qytetin Rafah, ku palestinezëve u ndalohet hyrja.
Të dielën, një raketë izraelite shkatërroi pjesërisht spitalin al-Ahli, i cili ishte i vetmi objekt që ende ofronte kujdes kritik në Gazën veriore. Mjekët thanë se shpërthimet e kishin lënë spitalin mezi funksional dhe të paaftë për të pranuar asnjë pacient.
António Guterres, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, tha se ishte “thellësisht i alarmuar” nga incidenti, duke theksuar se spitalet mbroheshin sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.
Izraeli ka shënjestruar vazhdimisht spitalet në Gaza gjatë 18 muajve të fundit, duke pretenduar se ato janë përdorur nga Hamasi për të fshehur aktivitetet terroriste. Forcat izraelite pretenduan se al-Ahli po përdorej si qendër “komandimi dhe kontrolli” nga Hamasi, një pretendim që grupi e mohoi. Paramedikët që kryejnë operacionet e shpëtimit në Gaza, janë gjithashtu në shënjestër.
Mjekët që punojnë në Gaza paralajmëruan se ofrimi i kujdesit mjekësor ishte në pikën e thyerjes. “Shënjeshtrimi i përsëritur i sistemit të kujdesit shëndetësor ka ngjallur frikë dhe ka tronditur besimin e ekipeve mjekësore, veçanërisht pasi kanë parë torturën, abuzimin dhe shënjestrimin e vazhdueshëm që ata durojnë. Mjaft është mjaft,” tha Dr Moataz Harara, kreu i departamentit të urgjencës në al-Ahli.
Zyra e OKB-së për koordinimin e çështjeve humanitare, tha se situata në Gaza ishte “me gjasë më e keqja që ka qenë në 18 muajt që nga shpërthimi i armiqësive”.
Që nga rënia e armëpushimit me Hamasin në mars, Izraeli ka bllokuar të gjithë ndihmën për territorin, duke rezultuar në mungesë kritike të ushqimit, ujit, karburantit dhe ilaçeve. Është periudha më e gjatë që Izraeli ka refuzuar ndihmën për Gazën dhe grupet e të drejtave të njeriut thanë se taktika – që synonte të bënte presion ndaj Hamasit për të liruar pengjet e mbetura që mban – përbënte një krim lufte.
Izraeli ka rifilluar gjithashtu sulmet ajrore dhe operacionet tokësore në Gaza, duke zhvendosur rreth 400,000 njerëz dhe duke çuar në një rritje të viktimave civile, me 1,600 të vrarë vetëm që nga marsi.
Duke folur për Yedioth Ahronoth, një gazetë izraelite, një zyrtar i paidentifikuar i sigurisë pretendoi se strategjia po funksiononte dhe do ta detyronte Hamasin të binte dakord për një marrëveshje për pengjet.
“Presioni ushtarak po ndikon”, tha zyrtari. “Ata kanë mungesë gazi dhe ushqimi dhe karburanti do të mbarojnë brenda disa javësh. Arritja e madhe e kthimit të banorëve në Rripin verior të Gazës është fshirë. Kjo i ka tronditur ata.”
Ofensiva izraelite në përgjigje të sulmeve të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023 ka marrë tashmë 51,000 jetë, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës. Numërimi nuk bën dallim mes civilëve apo luftëtarëve, por gratë dhe fëmijët përbëjnë më shumë se gjysmën e të vdekurve.
Në fillim të këtij muaji, një grup ekspertësh të OKB-së thanë se veprimet e Izraelit në Gaza, po çonin në “shkatërrimin e jetës palestineze”.
“Nëse nuk vriten nga bomba apo plumba, ata ngadalë mbyten për shkak të mungesës së mjeteve bazë të mbijetesës,” thanë ata. “I vetmi ndryshim është mjeti dhe shpejtësia e vdekjes”./ The Guardian.