Një 29 vjeçar është arrestuar pasi akuzohet për “Pornografia”, me të mitur.
Arrestimi i shtetasit M.Z në Tiranë u krye në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “STREAM”, kundër shfrytëzimit seksual të të miturve në internet, me pjesëmarrjen e agjencive ligjzbatuese të 35 shteteve, përfshirë Policinë e Shtetit.
Operacioni u zhvillua në drejtimin e Policisë Kriminale Shtetërore të Bavarisë dhe të Zyrës Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit Kibernetik (ZCB), si dhe me mbështetjen e EUROPOL-it.
Pas informacioneve të ardhura nga autoritetet policore gjermane dhe nga EUROPOL-i, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale që çuan në identifikimin dhe arrestimin e shtetasit M. Z, informoi sot policia e shtetit.
Policia fton qytetarët, prindërit dhe të rinjtë që të raportojnë çdo rast të dyshuar të shpërndarjes, prodhimit apo konsumimit të materialeve me përmbajtje pornografike që përfshijnë të mitur, si dhe çdo formë tjetër të abuzimit seksual online, te kanalet e mëposhtme të komunikimit duke garantuar dhe anonimatin e reagimin e menjëhershëm.
Email: CC@asp.gov.al
Telefon: +355 69 415 5552
Portali online: https://asp.gov.al/denonco-krimin-kompjuterik/
