foto ilustrim: artan hoxha-vendngjarje
TIRANË- Gazetari investigativ, Artan Hoxha, ka zbuluar të tjera detaje mbi atentatin në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe i plagosur agjenti i AMP-së, Muç Shaljani (Sheqeri). Hoxha është shprehur për Euroneës se, pas atentatit që tronditi Tiranën, fshihet një skuadër vrasjesh. Sipas gazetarit, bëhet fjalë për të njëjtën skuadër pushkatimi që ka gisht në ekzekutimin mafioz të Brilant Martinaj në Fushë Krujë. Gazetari deklaroi se i njeh personat, madje para 4 vitesh, ka publikuar fotot dhe emrat e tyre, duke theksuar se ata dalin shumë rrallë në terren, por me një rendiment gati 100%.
“Kjo është një ngjarje që ka shumë mesazhe brenda. Nuk është zgjedhur kot ai vend. Vazhdimisht kam folur për një skuadër pushkatimi e cila zakonisht është rezultative dhe nuk del shpesh në aktivitet, por sa herë del, rendimenti për fat të keq është 100 përqind dhe nuk është e mundur të kapet nga agjencitë tona. Në fakt, është një skuadër e frikshme dhe ka kryer atentate jashtëzakonisht të organizuara. Kam nxjerrë fotot e tyre para 4 viteve dhe emrat. Është një skuadër vrasjesh. Patjetër është e njëjta. Kanë vepruar në Durrës, Fushë-Krujë, mbani mend ekzekutimin e Brilant Martinaj. Ata përdorin zakonisht veshje të policisë. Nuk janë ushtarakë për mua.”, tha gazetari Hoxha.
Përmes një postimit në rrjetet sociale, gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se skuadra e vrasjes në Rinas, është përgjegjëse për vrasjet më të bujshme në 7 vitet e fundit. Hoxha sjell në vëmendje vrasjen e Bledar Birçaj në 2021, sipas tij, e ngjashme më atë të pak ditëve më parë në Rinas. Madje, në të dy rastet viktimat që sapo janë kthyer nga Spanja, shoqërohen nga një oficer antidroge.
Postimi i Hoxhës:
Prej vitesh një skuader pushkatimi, po vepron si një entitet i pavarur por me saktësi kirurgjikale.Kjo skuadër pushkatimi është përgjegjëse për vrasjet më të bujshme në shtatë vitet fundit, duke eleminuar njëri pas tjetrit disa nga figurat kryesore të krimit në dy dekada.Të pamëshirshëm, të vendosur ndaj kujtdo që është objektiv i tyre, me një efikasitet gati kirurgjikal, ata shfaqen rrallë, por kur shfaqen ….atëherë bëj gati një kurorë me lule për objektivin e tyre.Asnjë skuadër pushkatimi nuk ka mbijetuar kaq gjatë në botën e krimit sa ata.Duket sikur atë që nuk e bën dot SPAK, ndërrimin e elitës kriminale në vend, ata po e bëjnë me një efikasitet të frikshëm.Vrasja e Gilmando Danit, përpara Aeroportit Nderkombetar të Rinasit, dëshmoi se ata mbeten nën mbrojtjen e Aleancës, struktura kriminale që po kontrollon vendin dhe ekzekutojnë si një zyrë përmbarimi vendimet e saj.Më poshtë është video e ekzekutimit të 40 vjeçarit Bledar Birçaj nga Vlora.Duket gati identike si dy pika uji.Mesditen e 10 majit 2021, Bledar Birçaj, i cili kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Spanja, u qëllua nga një skuadër pushkatimi në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit. Si në rastin e Rinasit edhe ne Vlorë, viktima udhëtonte nën shoqërinë e oficerit të antidrogës Granit Deromema, ndërsa në pjesën e pasme të automjetit ndodhej dhe 20-vjeçari Edison Zeneli.Si në rastin e Rinasit, autorët të veshur me uniforma të trupave speciale kanë parkuar në anë të rrugës dhe sapo BMë X5 shfaqet, ata zbresin nga makina dhe hapin zjarr drejt viktimës pa mëshirë, por me saktësi të madhe duke u kujdesur të mos qëllojnë oficerin e antidrogës ne sediljen e parë dhe pasagjerin në sediljen e pasme.Vrasësit në të dyja rastet kanë informacion të saktë per levizjen e viktimës dhe shfaqen në skenë në çastin e duhur.Edhe në rastin e Vlorës, qitësit kryesor i bie nga dora diçka që duket si automatik, por në fakt është shtrati i një pistolete Glock19. Autori kthehet dhe e merr armën për të mos lënë gjurmë në vendin e krimit.Paisja në dukje si automatik, shërben për ta kthyer pistoletën né një armë me preçizion të lartë pasi në këtë mënyrë qitësi e fikson armën me të dyja duart si automatik.Kanë më shumë se 4 vite nga ngjarja e Vlorës, por autorët nuk janë gjetur.Në të dy rastet viktimat që sapo janë kthyer nga Spanja, shoqërohen,në Vlorë nga një oficer antidroge,në Rinas nga një agjent i Agjensisë së Mbikqyrjes Policore.Nëse nuk do të kishte lidhjet e forta brenda agjensive të zbatimit të ligjit dhe krahët e ngrohtë nga lidhja e fortë me pushtetin, kjo skuadër pushkatimi sëbashku me Aleancën që e komandon, nuk do të kishin qëndruar kaq gjatë Të Paprekshëm…Në video atentati i 10 majit 2021, kur ekzekutohet Bledar Birçaj në qytetin e Vlorës.
Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit ‘Nënë Tereza’, teksa i plagosur rëndë ka mbetur edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ndaj automjetit të tyre ‘Benz’ u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Autorët e maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend. Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit.
Gilmando Dani sapo kishte mbërritur me mikun e tij në Shqipëri nga Barcelona, Spanjë. Të dy ishin nisur me avion drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe kishin lënë makinën të parkuar në aeroport, ndërsa u kthyen nga Barcelona më 11 nëntor. Avioni me të cilin udhëtonte Dani zbriti në tokën shqiptare në orën 13:55, rreth 35 minuta para orarit të planifikuar. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas në rrethrrotullimin e Rinasi./ZËRI
