FOTO ILUSTRUESE
TIRANË-Deputetë të Partisë Demokratike i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pasi Partia Socialiste refuzoi kërkesën e tyre për ngritjen e dy komisioneve hetimore, atë për ‘McGonigal’ dhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kërkesa mban firmën e 38 deputetëve të opozitës.
Në kërkesën e depozituar zyrtarisht, demokratët kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të detyrojë Kuvendin për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore të propozuara nga opozita atë për McGonigal dhe për zgjedhjet e 11 majit. Opozita arsyeton se rrëzimi nga mazhoranca me votë politike i kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore përbën cënim të drejtpërdrejtë të një të drejte kushtetuese që i takon pakicës parlamentare.
“Ne deputetët e pakicës parlamentare jemi të vendosur për të qëndruar të angazhuar në proceset demokratike brenda sistemit institucional, por nuk do të pajtohemi kurrë me asgjësimin e parlamentarizimit apo mohimin e të drejtave tona kushtetuese. Një vend që pretendon antarësimin në Bashkimin Europian, që cenon rregullat minimale të bashkëjetesës demokratike brenda Kuvendit, ku mazhoranca ka rolin e saj dhe opozita përgjegjësitë e saj, nuk mund të jetë asgjë më shumë se një propagandë e papërgjegjshme për një normalitet të rremë demokratik. Këtë realitet të rremë mund dhe duhet ta korrigjojë sistemi i garancive kushtetuese institucionale – ku rolin kyç e ka Gjykata Kushtetuese.”- thuhet në kërkesë.
