Samiti i parë ndërqeveritar Shqipëri-Itali! Rama me 10 ministra në Romë: I hapet rrugë 16 marrëveshjeve të reja

Edi Rama dhe Giorgia Meloni

ITALI-Qeveria shqiptare dhe ajo italiane do të zhvillojnë sot në Romë një mbledhje të përbashkët. Mbledhja nis në orën 11:30 dhe do të hapet me një takim dypalësh mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe atij shqiptar Edi Rama. Pas takimit mes dy udhëheqësve, do të vijojë një seancë e përbashkët pune me pjesëmarrjen e ministrave nga të dyja qeveritë.
Kryeministri Edi Rama e cilëson këtë takim të përbashkët si një ditë historike të vendit tonë për marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa bën me dije se do të nënshkruhen 16 marrëveshje të reja.
Edi Rama: Mirëmëngjes dhe me krenarinë për një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, e cila zhvillohet në Romë për t’i hapur rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me fqinjin tonë të çmuar perëndimor, ju uroj një ditë të mbarë.

Në këtë samit marrin pjesë rreth 10 ministra nga secila palë, përfshirë ministrat italianë Antonio Tajani, Matteo Piantedosi, Carlo Nordio, Guido Crosetto, Gilberto Pichetto Fratin, Alessandro Giuli, Orazio Schillaci, Nello Musumeci, si dhe nënsekretarët Federico Freni dhe Matteo Ferrante.
Nga pala shqiptare të pranishëm do të jenë: zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku; ministrja e Jashtme Elisa Spiropali; i Drejtësisë  Besfort Lamallari; ajo e Brendshme Albana Koçiu; I Mbrojtjes  Pirro Vengu; e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Evis Sala; e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj; i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja; i Mjedisit Sofjan Jaupaj; dhe Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Marrëveshjet dhe memorandumet që pritet të nënshkruhen janë në fusha si: mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura. Samiti ka si qëllim të çojë në një nivel të ri cilësor bashkëpunimin dypalësh, përmes krijimit të një kuadri të qëndrueshëm dhe të strukturuar në fusha si ekonomia, infrastruktura, mbrojtja, siguria, energjia, mjedisi, shëndetësia, inovacioni, arsimi dhe kultura./ZËRI