VIDEO/ SPAK ka dy dosje për skandalin e tunelit të Llogarasë, Karaj: Korrupsioni mund të kushtojë jetë

Gazetari Vladimir Karaj analizoi në ‘A Show’ me Adi Krastën në SYRI TV skandalin e tunelit të Llogarasë, duke zbuluar detaje nga hetimet e SPAK.

Karaj tha se, ‘SPAK ka dy dosje për këtë aferë, që janë punimet e tunelit dhe siguria e tij. Bëhet fjalë për dy dosje të ndryshme. Një dosje që ka të bëjë me tenderin e madh të tunelit të Llogarasë dhe një dosje e dytë që ka të bëjë me tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë. Të dyja shumë të rëndësishme.’

Ai shtoi se dosja kryesore, ajo që përfshin edhe emrin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, vjen si pasojë e hetimeve për ish-drejtorin e ARRSH-së, Ervis Berberi. ‘Prokuroria ka qenë duke hetuar ish-drejtorin e ARRSH-së, Berberi, dhe nga hetimet, hetimet dhe ekzaminimi i telefonit të tij ka zbuluar dhe bisedat që dëshmojnë sipas prokurorisë fiksimin dhe rregullimin e tenderit të parë, tenderit kryesor që kushton edhe më shumë për ndërtimin e tunelit,’ tha Karaj.

Gazetari theksoi se hetimet tregojnë një ndikim të drejtpërdrejtë të korrupsionit në punime, me pasoja potencialisht të rënda për sigurinë e njerëzve.

‘Gjetja kryesore në gjithë këtë histori, dhe të paktën nga ajo që është në dosjet që ne kemi parë, në dosjet që kemi lexuar, është sesi korrupsioni drejtpërdrejtë në një mënyrë, domethënë, më shteruese… përshkruhet sesi korrupsioni ndikon drejtpërdrejtë në punime dhe sesi kjo, ky ndikim mund të sjellë pasoja të rënda deri dhe viktima në jetë njerëzish.’

Karaj shtoi se marrëveshjet mes palëve përfshijnë praktika jo etike.

‘Pra është e qartë në komunikimet mes palëve, që duhet thënë, janë në një marrëveshje jo etike, të paktën, në dukje. S’po them të korruptuar sepse e vendos gjykata, por e qartë që është një marrëdhënie jo etike, një marrëdhënie jo e qartë.’

Ai theksoi gjithashtu paralajmërimet e kompanisë që mbikëqyrte punimet.

‘Kompania që ka marrë përsipër mbikëqyrjen e vë në dijeni autoritetin rrugor shqiptar, i cili ishte, është autoriteti përgjegjës për sigurinë në rrugë, për sigurinë e rrugëve e tjerë e tjerë, e vë në dijeni që punimet në tunel, ashtu siç po bëheshin, mënyra se si po punohej, hekuri që po përdorej, betoni që po hidhej, mënyra sesi po hapej tuneli, ishin jashtë standardeve.’

Duke folur për rrezikun konkret nga zjarri në tunel, Karaj paralajmëroi.

‘Në një moment kur bëhet fjalë për rrezikun nga zjarri në, sidomos në një vend të mbyllur si tuneli, ata paralajmërojnë që nëse vazhdon kështu, do të ketë viktima. Pra, kjo është ajo që mësojmë… e dimë që korrupsioni kushton jetë në fund të ditës. Nuk është thjesht çështje parash.’