Nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj ka bërë një reagim të ashpër, pas atentatit mafioz në Rina, me një viktimë dhe një të plagosur rëndë.
Përmes një statusi në platformën sociale Facebook, Gjekmarkaj shkruan se ekzekutimi mafioz në Rinas, është fotografia e një shteti që ka humbur kontrollin dhe e një qeverie që ka dorëzuar autoritetin e vet përballë bandave.
Sipas Gjekmarkajt, teksa bandat prej kohësh kanë marrë kontrollin e territorit, shteti nuk është gjë tjetër veçse spektator .
‘Kjo ngjarje nuk është thjesht një krim, por një akt që simbolizon kapitullimin e shtetit përballë mafies. Dhe kur mafia ka shtetin, qytetari mbetet vetëm, i pambrojtur dhe pa shpresë’, përmbyll reagimin e tij Gjekmarkaj.
Stausi:
Mbi atentatin në Rinas !
Ajo që ndodhi sot në Rinas është fotografia më e qartë e një shteti që ka humbur kontrollin dhe e një qeverie që ka dorëzuar autoritetin e vet përballë bandave. Në vendin ku duhet të ishte siguria maksimale, ndodhi një vrasje që trondit çdo qytetar dhe e bën secilin të ndjejë se askush nuk është më i mbrojtur.Krimi në Shqipërinë “socialiste” nuk fshihet më në errësirë – ai ecën dritave të aeroportit, në mes të ditës, me bindjen se askush nuk do ta ndalë. Bandat kriminale kanë marrë prej kohësh kontrollin e territorit, lëvizin me sigurinë e atyre që ndihen mbi ligjin, sepse ndihen të mbrojtur prej tij. Shteti është bërë spektator, policia një dekor propagande, dhe qytetari një shënjestër e pafajshme që jeton mes frikës dhe pasigurisë.Në vend të rendit, kemi një qetësi të rreme; në vend të ligjit, kemi heshtjen e frikshme të pushtetit. Shqipëria është sot një vend ku njeriu ndjehet më i pambrojtur se kurrë. Në një shtet normal, një ngjarje e tillë do të ishte alarm kombëtar, do të trondiste qeverinë dhe do të sillte përgjegjësi. Këtu, ajo trajtohet si statistikë e radhës në kronikën e zezë që ka pushtuar jetën publike.Kjo ngjarje nuk është thjesht një krim, por një akt që simbolizon kapitullimin e shtetit përballë mafies. Dhe kur mafia ka shtetin, qytetari mbetet vetëm, i pambrojtur dhe pa shpresë.
