Garë fiktive për Kushtetuesen/ Zbardhen shkeljet gjatë procesit, Sokol Sadushi mbylli sytë dhe “pilotoi” Asim Vokshin si fitues

Konkurrimi për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese rezulton të ketë qenë një proces formalisht i hapur, por realisht i paracaktuar.

Dokumentet zyrtare të analizuara nga Top Channel tregojnë se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Gjykata e Lartë kanë ndjekur një procedurë me shkelje të përsëritura të ligjit, që në fund e çuan rezultatin drejt emrit të gjyqtarit Asim Vokshi. Në krye të të dy institucioneve, si Kryetar i KED dhe i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka pasur rol kyç në procesin që, sipas dokumenteve, ka shmangur rregullat bazë të transparencës dhe barazisë në garë.
Pas hapjes së thirrjes për aplikime nga Gjykata e Lartë, lista e kandidatëve iu përcoll Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për verifikimin e kritereve ligjore. Pikërisht në këtë fazë ndodh shkelja e parë.
Asim Vokshi është njoftuar dy herë për tërheqjen e formularëve të kandidimit, një praktikë e ndaluar nga rregullorja e KED, e cila lejon vetëm një njoftim brenda afatit tre-ditor nga publikimi. Fillimisht ai është informuar me shkrim dhe në mënyrë elektronike më 17 janar 2025. Por, sipas dokumenteve, KED ka kryer një njoftim të dytë më 20 janar në një adresë tjetër elektronike të deklaruar nga kandidati, pas dështimit të njoftimit të parë. Pikërisht atë ditë, Asim Vokshi tërhoqi formularët dhe autorizoi verifikimin.
Kjo ndërhyrje administrative ngre pyetjen thelbësore: si u sigurua adresa e dytë? A ka pasur Këshilli komunikim privatisht me kandidatin, duke i dhënë mundësinë që të mos humbte afatin ligjor për shprehjen e interesit?
Në fazën e dytë, gjatë verifikimit të integritetit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka marrë informacion zyrtar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), i cili përmbante të dhëna që, sipas ligjit, përbëjnë kriter ndalues për kandidaturën.
AKSIK ka informuar KED se kandidati Asim Vokshi figuron me indicie për bashkëpunim ose kontakte me shërbime inteligjente. Por në vend që ky fakt të trajtohej si pengesë ligjore, Këshilli e ka konsideruar “informacion të kufizuar” dhe ka vijuar procedurën e vlerësimit.
Në këtë pikë, ligji është i qartë. Në rastet kur vjen një informacion që mund të cenojë sigurinë kombëtare, në rast paqartësie, është vetë institucioni i sigurisë që duhet të përcaktojë nëse këto elemente përbëjnë rrezik apo jo. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka tagër ligjor të vendosë vetë se cilat elemente cenojnë apo jo sigurinë kombëtare.
Në vendimin e KED thuhet se janë kryer “verifikime shtesë me institucione ligjzbatuese”, por nuk ka asnjë të dhënë që tregon se informacioni është vlerësuar në mënyrë të plotë. Në kundërshtim me metodologjinë e vetë Këshillit, që përcakton se në rast të treguesve për mangësi në integritet kandidati duhet të marrë 0 pikë, KED i ka dhënë Asim Vokshit 30 pikët maksimale në kriterin e “meritave morale”.
Mes nënshkruesve të këtij vlerësimi janë edhe dy anëtarë aktualë të Gjykatës Kushtetuese, Miriana Semini dhe Ilir Toska, ky i fundit një prej anëtarëve që më herët kishte miratuar kandidaturën e Vokshit në procesin e vettingut.
Shkeljet vijojnë edhe në fazën e fundit, gjatë mbledhjes së posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë për procesin e votimit. Procesverbali i siguruar nga Top Channel tregon se është shpallur i pavlefshëm një votim në favor të kandidaturës Naureda Llagami, e cila kishte siguruar 9 vota, shumicën e kërkuar prej 3/5 të trupës së 15 gjyqtarëve. Me anulimin e kësaj vote, fitues u shpall Asim Vokshi me vetëm 6 vota pro.
Në audio-regjistrimin e mbledhjes dëgjohen gjyqtarë që kundërshtojnë pavlefshmërinë e fletës, por ndërhyrja e kryetarit Sokol Sadushi i ndërpret debatet, duke i lënë sekretarëve të gjykatës vendimmarrjen përfundimtare.
Audio-përgjimi:
Kancelarja Anisa Kulo: “Një nga shkaqet e pavlefshmërisë është çdo shenjë tjetër përveç shenjës së votimit. Komisioni e vlerëson të pavlefshme këtë fletë.”
Gjyqtarët: “E vlefshme, është shenjë te numri 2.”
Sokol Sadushi: “Komisioni e ka fletën në dorë. Asnjë nga anëtarët nuk ka të drejtë të konsultohet. Vendos komisioni.”
Në procesverbal nuk pasqyrohet diskutimi i plotë dhe mungon transkriptimi integral i audios, duke krijuar dyshime për fshehje të qëllimshme të debatit.
Nga lejimi i kandidaturës deri në votimin përfundimtar, çdo hallkë e këtij procesi përmban elementë që cenojnë transparencën, barazinë dhe ligjshmërinë. Në fund, fituesi rezulton po ai që, sipas dokumenteve, ishte paracaktuar të ishte.
Top Channel, si media kombëtare, nuk ka asnjë qëllim të dëmtojë individë apo institucione. Detyra jonë është të informojmë publikun mbi procese që kanë ndikim në sistemin e drejtësisë dhe besimin ndaj institucioneve kushtetuese. Ky raportim nuk është akt përplasjeje, por një ushtrim i natyrshëm i kontrollit demokratik, një formë e kontrollit dhe balancës që i shërben të ardhmes së shtetit ligjor në Shqipëri.

Top Channel