U përdor në atentat/ Makina e djegur 3 minuta larg qendrës së qytetit, policia: U gjetën 4 armë zjarri në mjet

kruje

KRUJË- Një automjet i djegur u gjet pak minuta pas atentatit në Rinas, ndërsa dyshohet se u përket autorëve. Gjatë kontrollit në zonë, në fshatin Halil, u gjet një automjet tip “Toyota”, ku në të janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje. Policia e Krujës bën me dije se armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore.
Mësohet se policia ndodhet në vendin e ngjarjes, por nuk i është afruar makinës që vijon të digjet. Kjo pasi hetuesit dyshojnë se brenda saj ndodhen armë dhe municione të cilat mund të shpërthejnë nga flakët. 
Njoftimi:
Krujë/ Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Halil, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Toyota”, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur në Rinas.
Në automjet janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.
Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Makina e djegur tip “Toyota” është gjetur në fshatin Halil të Fushë-Krujës. Sipas informacioneve dyshohet se ajo është makina e autorëve të atentatit në Rinas, ku si pasojë ka mbetur i vdekur Gilmando Danin, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Gilmando Dani humbi jetën dhe u plagos Muçi Shaljani (Sheqeri), ky u fundit ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Mësohet se pas atentatit, autorët janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ndërsa pak minuta më vonë është raportuar për makinën që po digjej në fshatin Halil. Mdërsa, shqetësues është fakti se si arritën autorët të lëvizin të pashqetësuar nga Rinasi në drejtim të Fushë Krujës, duke kaluar edhe disa postblloqe policie, për të djegur më pas mjetin në një zonë të thellë dhe të fshehur, vetëm 3 minuta larg qendrës së qytetit dhe rajonit të Policisë së Fushë Krujës./ZËRI