EMRAT/ Ngritën skemë mashtruese për përfitimin e rimbursimit të TVSH, shpallen fajtorë 6 shtetas

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka shpallur fajtorë gjashtë shtetas dhe pesë kompani private, pas hetimeve të Prokurorisë që zbuluan një skemë të mirëorganizuar mashtrimi me TVSH, të kryer në bashkëpunim mes qytetarëve shqiptarë dhe italianë.
Sipas vendimit gjyqësor, të pandehurit kanë përdorur kontrata fiktive konsulence për të përfituar në mënyrë të padrejtë rimbursime tatimore, duke falsifikuar dokumente financiare dhe duke fshehur të ardhurat.

Në rolin e organizatorit të skemës rezulton shtetasi italian Andrea Emanuele di Dio, ndërsa personat Ilir Qafa, Elton Beqiraj, Salvatore Castorina, Salvatore Cascino dhe Zaho Kuka kanë bashkëpunuar në zbatimin e saj përmes disa shoqërive të krijuara posaçërisht për këtë qëllim, si “Sidec Alenergy”, “Primis”, “Gainsbourg”, “Al Nair Trading” dhe “CS International Consulting”. Sipas Prokurorisë, këto kompani qarkullonin fiktivisht para përmes faturave të rreme të shërbimeve konsulence, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitimin e paligjshëm të rimbursimeve të TVSH-së.

Në përfundim të gjykimit, të pandehurit janë dënuar me 3 deri në 4 vite burg, ndërsa kompanitë me gjobë që varion nga 1 deri në 1.5 milionë lekë. Kontabilisti Z.K. u dënua me 180 orë punë në interes publik për moskallëzim krimi. Sipas Prokurorisë, ky vendim përbën një mesazh të qartë kundër mashtrimeve fiskale dhe abuzimeve me TVSH-në, që dëmtojnë rëndë buxhetin e shtetit dhe konkurrencën e ndershme në treg.

Njoftimi i prokurorisë:

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u shpallën fajtor shtetasit I.Q., E.B., A.D., S.C., S.C., Z.K., si dhe shoqëritë ‘Sidec Alenergy’ shpk, ‘Primis’, ‘Gainsbourg’ shpk, ‘Al Nair Trading’ shpk dhe ‘CS International Consulting’ shpk, për veprat penale ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar’ e kryer në bashkëpunim, ‘Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëe’, ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’ si dhe ‘Fshehja e të ardhurave’, parashikuar nga nenet 144/a dhe 25, 190/2, 181 dhe 180/a të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimi penal nr.252 të vitit 2021, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, provoi se shtetasit I.Q. dhe E.B, në bashkëpunim me shtetasit italianë A.D, S.C dhe S.C., kanë ngritur një skemë mashtruese për përfitimin e rimbursimit të TVSH, nëpërmjet kontratave fiktive të konsulencës juridike.

Këta persona dhe shoqëritë e tyre krijuan një skemë të mirëorganizuar të qarkullimit të parave përmes shërbimeve fiktive, me synim shpërndarjen e shumave monetare dhe shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitimin e padrejtë të TVSH-së, në kundërshtim me ligjet shqiptare dhe ndërkombëtare.
Të pandehurit I. Q., E.B., S. C. dhe S.C. kanë qenë në rolin e ndihmësit të të pandehurit A.D., i cili rezulton të jetë në rolin e organizatorit, krijuesit dhe përfituesit kryesor nga kjo skemë mashtruese. Ata kanë pranuar të lëshojnë në mënyrë fiktive fatura tatimore për shërbime konsulence në favor të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të shoqërisë “Sidec” të pandehurit A. D., duke e ditur shumë mirë se shoqëritë e tyre dhe ajo e të pandehurit u krijuan në funksion të ngritjes dhe vazhdimit të skemës mashtruese. Ndërkohë i pandehuri Z. K., me detyrë kontabilist, duke qenë në dijeni të plotë të situatës financiare, ka bërë një trajtim kontabël plotësisht të gabuar. Sa më sipër, me kërkesë të prokurorisë u shpallën fajtor shtetasit:

I.Q. – Për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 144/a dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim;

E.B.,- Për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 144/a dhe 25 i Kodit Penal “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim;

A.D – Për kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, të parashikuar nga neni 180/3 i Kodit Penal dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 4 vjet burgim;

S.C. – Për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, të parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim;

S.C. – Për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, të parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Z.K. – Për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, të parashikuar nga neni 300 dhe dënimin e tij me 180 (njëqind e tetëdhjetë) orë punë në interes publik;

Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “Sidec Albenergy” sh.p.k. për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave” dhe dënimin e tij me gjobë 1.500.000 lekë.

Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “Primis” sh.p.k. për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me gjobë në masën 1 000 000 lekë.

Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “Gainsbourg” sh.p.k. për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe dënimin me gjobë 1.200.000 lekë.

Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “Al Nair Trading” sh.p.k. për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe dënimin me gjobë 1.200.000 lekë.

Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “CS International Consulting” për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe dënimin e tij me një gjobë prej 1.200.000 lekë.