Nuk do të ketë zgjerim të mëtejshëm të BE-së ndërkohë që blloku ruan parimin e unanimitetit, thuhet në marrëveshjen e koalicionit gjerman
Marrëveshja midis konservatorëve dhe socialdemokratëve gjermanë, e arritur javën e shkuar, përcakton se qeveria e tyre e koalicionit do të kundërshtojë zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian përveç nëse blloku heq dorë nga parimi i unanimitetit.
Unioni Kristian Demokrat (CDU), i qendrës së djathtë, së bashku me partinë e tij simotër bavareze, Unionin Kristian Social (CSU), nënshkruan marrëveshjen e koalicionit me Partinë Socialdemokrate (SPD) me 9 prill.
Në dokumentin me më shumë se 140 faqe, vetëm katër fjali i kushtohen zgjerimit të Bashkimit Europian.
Në marrëveshje thuhet: “Zgjerimi i BE-së dhe aftësia e saj për të përthithur anëtarë të rinj duhet të ecin paralelisht. Prandaj, na nevojitet konsolidim i brendshëm dhe reformë e BE-së, më së voni me zgjerimin e ardhshëm, për të forcuar institucionet e saj.”
Marrëveshja thekson se si parimi i unanimitetit, i kërkuar në disa raste, po pengon tashmë aftësinë e bllokut për të zbatuar politika.
“Parimi i konsensusit në Këshillin Europian nuk duhet të bëhet pengesë për marrjen e vendimeve. Kjo vlen në parim edhe për vendimet e mbetura që kërkojnë unanimitet në Këshillin e BE-së.”
Këto katër fjali nuk kanë tërhequr shumë vëmendje deri tani, ndonëse ato do të jenë thelbësore në formësimin e politikës së jashtme të Berlinit në vitet që vijnë, sipas një artikulli të Frankfurter Allgemeine Zeitung të hënën, shkruar nga Michael Martens.
Sipas Martens, kjo shënon një ndryshim në qëndrimin e Berlinit ndaj zgjerimit të BE-së dhe një pranim publik se “paaftësia për të marrë vendime është pengesa kryesore për pranimin e vendeve të reja.”
Një anëtar, një veto
Me çdo shtet anëtar të ri që fiton të drejtën e vetos, marrja e vendimeve me unanimitet do të bëhej e pamundur. Për shembull, anëtarësimi i Serbisë me shumë gjasë do ta bënte të pamundur një politikë të unifikuar kundër Kremlinit.
Siç thekson artikulli i FAZ, liderë të tjerë europianë, si Emmanuel Macron, kanë paralajmëruar prej kohësh se zgjerimi i mëtejshëm do ta bënte edhe më të vështirë marrjen e vendimeve, kur tashmë me 27 anëtarë është problematike, dhe është e vështirë të imagjinohet si do funksiononte blloku nëse të gjithë vendet kandidate aktuale do të bashkoheshin, duke e çuar numrin e anëtarëve në 35.
Edhe heqja dorë nga parimi i unanimitetit duket e pamundur, pasi do të kërkonte vetë unanimitetin, diçka që, siç thekson Martens, qeveritë e mëparshme gjermane e kanë kuptuar prej kohësh, por kanë hezituar ta trajtojnë hapur.
Në të njëjtën kohë, ai thekson se diku tjetër në marrëveshje, CDU, CSU dhe SPD e pranojnë se pranimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), si dhe i Ukrainës dhe Moldavisë, është “i rëndësishëm” dhe “në interes të përbashkët” të këtyre vendeve dhe BE-së.
Për të anashkaluar çështjen, Martens sugjeron një zgjidhje sipas së cilës vendet që duan të bashkohen me BE-në do të kishin akses në tregun e përbashkët pa fituar statusin e anëtarësisë së plotë, duke shmangur kështu problemet që vijnë nga shtimi i vendeve me të drejtë vetoje. / TVP World – Syri.net
