“Barazia Gjinore” votohet nesër në Kuvend! Aktivistja e LGBT: Historike! Këshilli Ndërfetar: Të ruhet familja dhe morali

TIRANË-Projektligji “Për Barazinë Gjinore”, i cili nxiti shumë polemika pritet të votohet nesër në Kuvend në seancën e radhës. Aktivistja për të drejtat e komunitetit LGBT, Xheni Karaj ka deklaruar se nesër Shqipëria ndodhet përballë një momenti historik. Teksa liston qëllimet e këtij projektligji, Xheni Karaj thekson se barazia gjinore është një detyrim kushtetues, një standard europian dhe një vlerë kombëtare që duhet të nxisë përgjegjësinë e të gjithëve pa asnjë kompromis.
Postimi i Xheni Karaj
Nesër Shqipëria ndodhet përballë një momenti historik! Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë ditën e nesërme projektligjin “Për Barazinë Gjinore” (2025), një instrument që forcon zbatimin e parimit të mosdiskriminimit dhe përmbush detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të vendit për garantimin e barazisë reale gjinore për të gjithë gratë dhe burrat në Shqipëri. Projektligji “Për Barazinë Gjinore” sjell një sërë përmirësimesh thelbësore ligjore, që synojnë arritjen e barazisë reale dhe jo vetëm formale në shoqërinë tonë, duke krijuar mekanizma konkrete zbatimi, monitorimi dhe llogaridhënieje. Projektligji “Për Barazinë Gjinore” pritet të zëvendësojë ligjin ekzistues të vitit 2008 dhe përfshin koncepte më të avancuara të barazisë gjinore dhe mbrojtjes nga diskriminimi. Forcon mbrojtjen për gratë dhe burrat në vendin e punës, në sektorin publik dhe privat. Krijon një sistem të qartë koordinimi ndërinstitucional për garantimin dhe mbikëqyrijen e objektivave të barazisë gjinore. Fuqizon mekanizmat e monitorimit dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet. Parashikon sanksione më të forta për moszbatim dhe diskriminim të përsëritur me bazë gjinore. Njeh dhe vlerëson punën e papaguar të kujdesit.
Promovon ndarjen më të drejtë të përgjegjësive familjare dhe barazinë në përfaqësim politik e institucional. Forcon edukimin për barazinë gjinore dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në të gjitha nivelet e administratës publike. Ky projektligj forcon respektin, dinjitetin dhe drejtësinë ndaj të drejtave themelore të njeriut, si vlera themelore demokratike, të pandashme, të patjetërsueshme dhe universale për çdo qytetar dhe qytetare. Nesër është dita që deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të tregojnë se Shqipëria është një vend i rrënjosur në vlerat kushtetuese, demokratike dhe evropiane. U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të votojnë në unanimitet miratimin e këtij projektligji, duke lënë pas fushatat e dezinformimit dhe duke qetësuar shoqërinë përmes votës për të vërtetën, transparencën dhe dinjitetin njerëzor. Barazia gjinore është një detyrim kushtetues, një standard europian dhe një vlerë kombëtare që duhet të nxisë përgjegjësinë e të gjithëve pa asnjë kompromis!
Edhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar sërish në lidhje me qëndrimin e tyre kundër, lidhur me projektligjin “Për barazinë gjinore”, i cili do të votohet ditën e nesërme, me propozim të mazhorancës socialiste. Në një deklaratë për shtyp, Këshilli Ndërfetar thekson se qëndrimi i tyre vjen në rëndësinë e ruajtjes së vlerave themelore të familjes, të traditës shoqërore dhe morale shqiptare, si dhe të parimeve të besimeve tona fetare, në frymën e respektit, barazisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Deklaratë për shtyp
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, rithekson edhe një herë qëndrimin e tij zyrtar, të shprehur në letrën dhe deklaratën e mëparshme, lidhur me projektligjin “Për barazinë gjinore”. KNFSH qëndron i palëkundur në pozicionin e tij, siç është artikuluar qartë në dokumentin e dërguar më parë institucioneve përkatëse, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave themelore të familjes, të traditës shoqërore dhe morale shqiptare, si dhe të parimeve të besimeve tona fetare, në frymën e respektit, barazisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.