BILD
Sa do të mund të rezistojë ende Ukraina?
Për herë të katërt, vendi po përballet me një dimër shumë të vështirë, ndërsa sundimtari i Kremlinit, Vladimir Putin, e ka vënë në shënjestër infrastrukturën kritike të energjisë. Askund në gjithë vendin nuk je i sigurt nga raketat dhe dronët e Putinit.
“Nuk mësohesh kurrë me këtë,” thotë ish-kampioni i botës në boks, Vladimir Klitschko, në podcastin “Ronzheimer” nga Kievi. “Por megjithatë, të gjithë ukrainasit janë përshtatur me këtë luftë”. Vëllai më i vogël i kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, është i bindur: ukrainasit nuk dorëzohen.
“Shkojnë në kafene, edhe pse vetëm disa javë më parë aty ra një raketë,” thotë Klitschko. “Kjo tregon se Rusia e Putinit nuk do ta pushtojë kurrë këtë vend. Sepse jeta nuk mund të ndalet. Është e pamundur. Kjo tregon se kjo luftë thjesht nuk ka kuptim”.
Klitschko ka frikë, megjithatë, se lufta mund të harrohet në Gjermani. “Edhe njëherë shkatërrime, edhe njëherë vrasje, edhe njëherë dronë, edhe njëherë raketa – shpesh këto nuk janë më lajm. Kur je në Perëndim, harrohet lehtë se lufta është përpara derës,” thotë ish-boksieri.
Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, nuk do t’i japë fund luftës në Ukrainë, thotë Klitschko. “Bisedimet, me të cilat Donald Trump gjithmonë përpiqet të ndalojë luftërat, nuk kanë sjellë rezultate pozitive në të kaluarën. Dhe besoj se as nuk do të ketë rezultate pozitive”.
Arsyeja: Rusia, thotë Klitschko, ka ndërtuar një makineri lufte që nuk mund më të ndalet. “Ekonomia ruse është plotësisht e përqendruar te lufta, dhe trurit të rusëve iu është bërë kaq shumë lavash sa ata besojnë se lufta është gjëja më e mirë që mund t’u ndodhë”.
Por si mund të mbyllet lufta? Klitschko mendon: “Ndoshta një vend si Rusia nuk mund të luftohet nga jashtë për një kohë të gjatë, por vetëm nga brenda,” thotë ai. “Vetëm një ndryshim qeverie në Rusi mund të sjellë përfundimin e luftës. Me këtë qeveri nuk do të ketë fund të luftës”.
Kjo do të thotë: vetëm nëse Putini rrëzohet (ose vdes), Ukraina ka shpëtuar. Klitschko: “Dhe natyrisht, Rusia duhet të humbasë në Ukrainë — me mbështetjen e aleatëve tanë”.
