Alqi Bllako
TIRANË-Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako i akuzuar për korrupsion pasiv për çështjen e inceneratorit të Tiranës pritet të lirohet nga burgu. Më herët GJKKO shpalli Bllakon fajtor për korrupsion pasiv për përfitim të 119 mijë eurosh, dhe përfitim për 7 milion lekë, duke e dënuar me 4 vite burg, që në gjykim të shkurtuar shkojnë në 2 vite e 8 muaj burg. Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Me shpalljen e këtij vendimi, masa e sigurisë “arrest me burg” për Alqi Bllakon u shua, ndërsa gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga qelia, nëse ndaj tij nuk ekziston ndonjë masë tjetër sigurie. Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është në qeli prej gati 2 vitesh, pasi është dënuar me 2 vite e 8 për inceneratorin e Fierit, ndërsa për inceneratorin e Elbasanit, Bllako gjithashtu është lënë në burg për të njëjtën periudhë kohe. Lirimi vjen pasi i është shuar masa e sigurisë si për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.
Ndërkohë në seancën e sotme, SPAK kërkoi 5 vite burg për Alqi Ballkon. Vetë Bllako kërkoi të shpallet i pafajshëm, duke thënë se njërit prej fëmijëve po i rëndohet gjendja për shkak të mungesës së babait.
Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.
Të dy këta të fundit, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit. Në dhjetor 2023, SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Arrest në burg u caktua për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranës. Në të njëjtën masë u vendos edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncensionet e tjera të inceneratorëve, si dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako. Pjesa tjetër e personave që u akuzuan janë anëtarë të komisioneve përzgjedhëse të koncensionit./ZËRI
