Alqi Ballko
TIRANË-Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur sot vendimin për ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, i akuzuar për korrupsion pasiv në aferën e inceneratorit të Tiranës. GJKKO ka shpallur të fajshëm Ballkon, duke e dënuar me 4 vite burg.
Pas reduktimit të dënimit, ai do të vuajë një dënim prej 2 vite e 8 muaj burg. Ballkos i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh. Bllako akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste. Pas hetimeve të kryerja lidhur me çështjen, SPAK ka dalë në përfundimin se Bllako ka kryer veprime të kundraligjshme në kohën kur ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.
Në seancën e sotme, SPAK paraqiti 37 fashikuj vetëm për Bllakon, ku pretendon se ka përfituar 120 mijë euro përmes kompanisë së babait të tij, por edhe 7 milion e 520 mijë lekë nga Vladimir Bezhani, nga shoqëria koncesionare për ndërtimin e inceneratorit.
Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.
Të dy këta të fundit, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit. Në dhjetor 2023, SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Arrest në burg u caktua për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranës. Në të njëjtën masë u vendos edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncensionet e tjera të inceneratorëve, si dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako. Pjesa tjetër e personave që u akuzuan janë anëtarë të komisioneve përzgjedhëse të koncensionit.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është në qeli prej gati 2 vitesh, pasi është dënuar me 2 vite e 8 për inceneratorin e Fierit, ndërsa për inceneratorin e Elbasanit, Bllako gjithashtu është lënë në burg për të njëjtën periudhë kohe./ZËRI
