1.3 mln euro për LaCivita dhe ekipin e tij? Berisha: 14 herë më pak se sa deklaronte Rama!

chris lacivita-sali berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar faturën e publikuar ditën e djeshme lidhur me shpenzimet që Partia Demokratike ka kryer gjatë fushatës së 11 majit, kryesisht për konsulencën e strategut amerikan Chris LaCivita. Për Berishën, shifra e paguar është 14 herë më vogël nga ajo që shpalli Rama në mars të këtij viti. Kreu i demokratëve nuk la pa vlerësuar punën LaCivitës, për të cilin tha se organizoi një fushatë që shqiptarët nuk e kanë parë kurrë më parë. 
“Ju dhe çdo shqiptar mësuat dje se shifra e paguar ishte 14 herë më e vogël nga ajo që shpalli Rama dhe makineria e tij e mashtrimit, në rast se shkoni në mars të këtij viti do gjeni shifrat 22 mln e me radhe e me radhë, shqiptarët e panë që kjo shifër jo 10 por 15 herë më e ulët. Tullumbacja e skandalit të tyre u shfry dhe atyre u ngeli mashtrimi më dorë. Ekipi i La Civita, ekipi më serioz i botës, me eksperiencën më të jashtëzakonshme, por bëri më të mirën e mundshme, dha një ndihmë jashtëzakonisht të çmuar, organizoi një fushatë që shqiptarët nuk e kishin parë kurrë më parë. Ekipi nuk ishte përgjegjës për diktaturën autoritare të vendosur nga Rama. Cili do të ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, Edi Rama nuk do të arrestonte në vitin elektoral dhe të ndiqte penalisht liderët e tre partive opozitare? Cili do të ishte rezultati i zgjedhjeve nëse Rama, duke shkelur ligjin nuk do të organizonte mbi 4 mijë evente për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve? Cili do të ishte rezultati, në rast se Rama nuk do të përdorte të gjitha burimet e qeverisë elektorale duke shkelmuar parimin e pabarazisë, duke krijuar një fushë të pabarabartë?”, u shpreh Berisha.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi dje shpenzimet e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit. Raporti i KQZ tregon edhe të ardhurat e deklaruara nga partitë, ku PS ka shpenzuar në total 169,574,703 lekë, Partia Demokratike ka shpenzuar në total 213,060,301 lekë, ndërsa drejtuesi i fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, Chris LaCivita, është paguar për konsulencën e tij 139,111,686 lekë. Ndërkohë, Partia e Lirisë, forca e politike e drejtuar nga Ilir Meta ka shpenzuar mbi 100 mijë euro. Nga këto, 70 mijë euro kanë shkuar për mitingjet e përbashkëta me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike./ZËRI