Thirrjet po shtohen çdo ditë në klinikën e endokrinologut indian, Dr. Rahul Baxi, në Mumbai. Por jo të gjitha vijnë nga pacientë me diabet. Gjithnjë e më shumë janë të rinjtë profesionistë që pyesin të njëjtën gjë: “Doktor, a mund të filloj trajtimin me ilaçe për humbje peshe?”
Njëri prej tyre, një 23-vjeçar që kishte shtuar 10 kilogramë pasi nisi një punë stresuese në korporatë, i kërkoi mjekut ndihmë duke iu referuar miqve të tij në palestër që tashmë përdorin injeksione për dobësim.
Por Dr. Baxi refuzoi, duke i kujtuar se këto ilaçe nuk janë zëvendësim për një stil jetese të shëndetshëm.
“Nëse e ndalon, pesha të kthehet. Nëse e vazhdon pa ushtrime, humbet masë muskulore. Këto ilaçe nuk janë mrekulli,” shprehet ai.
Kërkesa për ilaçet e humbjes së peshës është rritur ndjeshëm në qytetet e mëdha të Indisë – një vend që renditet i dyti në botë për numrin e të rriturve mbipeshë dhe me mbi 77 milionë persona që vuajnë nga diabeti i tipit 2.
Këto barna, të zhvilluara fillimisht për trajtimin e diabetit, po konsiderohen “revolucionare” për rezultatet që ofrojnë në uljen e peshës. Por suksesi i tyre ka ngritur edhe shqetësime serioze për keqpërdorimin e tyre pa mbikëqyrje mjekësore.
Dr. Anoop Misra, drejtues i Qendrës Fortis-C-DOC në Delhi, thotë: “Janë ilaçet më të fuqishme për humbje peshe që kemi parë ndonjëherë. Shumë barna kanë ardhur e ikur, por asnjë nuk krahasohet me këto.”
Dy barnat më të përdorura në tregun indian janë Semaglutide dhe Tirzepatide, të njohura me emra tregtarë si Rybelsus, Wegovy, Ozempic dhe Mounjaro.
Ato imitojnë një hormon natyral që kontrollon urinë dhe ndjesinë e ngopjes, duke e bërë përdoruesin të ndjehet plot për një kohë më të gjatë. Disa prej tyre merren përmes injeksioneve javore, ndërsa efektet janë të dukshme pas pak javësh megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se pa ushqyerje të shëndetshme dhe aktivitet fizik, rezultatet janë të përkohshme dhe mund të sjellin pasoja afatgjata për trupin.
Në një vend ku presioni estetik dhe stresi i jetës urbane po rritet, këto ilaçe po shihen si “rruga e shkurtër drejt formës perfekte”. Por mjekët si Dr. Baxi theksojnë se nuk ka rrugë të shpejtë për një trup të shëndetshëm dhe paralajmërojnë: “Magjia e injeksioneve nuk zëvendëson disiplinën e jetës.”
