ervis brasha
TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga arrestimin i 20-vjeçarit Ervis Brasha, i cili u vu në pranga të dielën në zonën e Kamzës, teksa ishte duke qarkulluar me automjetin e tij, i veshur me uniformë policie dhe stema zyrtare.
Grupi hetimor ka zbuluar se i riu hiqej si polic, madje në disa raste edhe si drejtues policie dhe kishte arritur të dërgonte “urdhra” përmes email-it të rremë edhe tek efektivë policie. Gjithashtu, duke u hequr si polic ai ka kontaktuar edhe efektivë të Portit të Durrësit, duke ndërhyrë në punën e tyre dhe duke i marrë informacion.
Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan katër karta identiteti të dyshuara si të falsifikuara, një armë sportive, uniformë policie, 16 stema e grada drejtuese, si dhe tre kapele me shenja të Policisë së Shtetit.
Brasha kishte krijuar kontakte me punonjës të vërtetë policie, i shkruante atyre në rrjetet sociale dhe publikonte foto e video në institucione shtetërore, i veshur me uniformë. Në disa raste, ai ka hyrë edhe në Akademinë e Sigurisë, duke filmuar brenda ambienteve pa autorizim zyrtar, duke ngritur dyshime se mund të ketë pasur ndihmë nga persona të brendshëm.
20-vjeçari dyshohet se ka përfituar para duke kërcënuar qytetarë, por po hetohet edhe pista nëse është përdorur nga grupe kriminale për t’u shtirur si polic në veprime të paligjshme.
Materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për hetime të thelluara, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë mbështetur aktivitetin e të riut./ZËRI
